Bini Diez i kundërpërgjigjet Nichit, pretendon se investoi 60 mijë euro në karrierën e tij dhe paralajmëron padi për shpifje

Bini Diez i kundërpërgjigjet Nichit, pretendon se investoi 60 mijë euro në karrierën e tij dhe paralajmëron padi për shpifje

Written by

in

Deklaratat e reperit Nichi për periudhën kur ishte nën menaxhimin e Bini Diez kanë marrë përgjigje nga ky i fundit, i cili ka reaguar publikisht përmes një njoftimi të publikuar nga DIEZ Production.

Gjatë një bisede me Vjollca Haxhiun në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 5, Nichi tregoi se në fillim paguhej vetëm 20 euro në javë dhe se kishte pasur vështirësi të mëdha financiare.

Ai madje rrëfeu se, në disa raste, i kishte dërguar ish-menaxherit fotografi të frigoriferit të zbrazët për t’i treguar gjendjen në të cilën ndodhej.

– YouTube www.youtube.com

Reperi pretendoi gjithashtu se nuk ishte lejuar të punonte në vende të tjera për të siguruar të ardhura shtesë.

Pas këtyre deklaratave, Bini Diez ka paraqitur versionin e tij të ngjarjeve, duke thënë se kishte investuar më shumë se 60 mijë euro në zhvillimin e karrierës së Nichit brenda një viti.

Sipas tij, marrëveshja mes tyre ishte e bazuar në ndarjen e fitimeve nga projektet muzikore, por kompania nuk kishte përfituar të ardhura nga bashkëpunimi.

Ai theksoi se kontrata nuk e obligonte të paguante reperin me një shumë fikse mujore apo t’i mbulonte shpenzimet personale, megjithatë pretendon se e kishte ndihmuar edhe përtej angazhimeve profesionale.

Foto: Instagram

Në reagimin e tij, ish-menaxheri foli edhe për projektet e planifikuara gjatë bashkëpunimit, duke bërë të ditur se nga shtatë projekte të parashikuara, gjashtë ishin realizuar, ndërsa njëri kishte mbetur i papërfunduar.

Sa i përket këngës diss ndaj Don Xhonit, për të cilën Nichi foli gjithashtu brenda shtëpisë, Bini Diez pretendon se ajo ishte zgjedhje artistike e vetë reperit dhe se tekstin e kishte shkruar ai.

Në fund, ish-menaxheri paralajmëroi se do t’u drejtohet institucioneve për çështjet që, sipas tij, lidhen me shkeljet e kontratës, si dhe për pretendimet që i konsideron shpifje dhe dëmtim të reputacionit. /Telegrafi/