Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Egjiptin të dielën, pasi dy trena pasagjerësh janë përplasur në distriktin al-Ayyat, në provincën Giza, rreth 73 kilometra në jug të kryeqytetit Kajro. Si pasojë e përplasjes, të paktën shtatë persona kanë humbur jetën, ndërsa më shumë se 110 të tjerë janë plagosur, sipas të dhënave të autoriteteve egjiptiane.
Aksidenti ndodhi në një linjë hekurudhore ku qarkullonin dy trena që shërbenin për udhëtime të rëndësishme brenda vendit. Sipas Ministrisë së Transportit të Egjiptit, një tren që udhëtonte nga Giza drejt provincës Fayoum u përplas me pjesën e pasme të një treni tjetër që po udhëtonte nga Kajro drejt Aswanit, në jug të vendit.
Fillimisht, autoritetet njoftuan se njëri prej trenave kishte dalë nga shinat dhe kishte përfunduar në një rrugë rurale pranë vendit të aksidentit. Megjithatë, në njoftimet e para nuk u bë e qartë se cili prej trenave kishte dalë nga binarët.
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe marrjes në pyetje të dëshmitarëve, Prokuroria Publike egjiptiane sqaroi se treni që udhëtonte nga Giza drejt Fayoumit ishte përplasur me vagonin e fundit të trenit Kajro-Aswan, i cili kishte ndaluar në të njëjtën linjë hekurudhore. Të dy trenat po lëviznin në të njëjtin drejtim përpara përplasjes.
Sipas vlerësimeve fillestare të Prokurorisë, shtatë persona kanë humbur jetën, përfshirë edhe drejtuesin e trenit që udhëtonte nga Giza drejt Fayoumit, ndërsa 114 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë raportoi për 112 të plagosur, duke bërë të ditur se numri përfundimtar i viktimave dhe të lënduarve ishte ende duke u verifikuar.
Operacionet e shpëtimit, mbi 70 autoambulanca në vendin e aksidentit
Menjëherë pas përplasjes, në vendin e ngjarjes janë angazhuar ekipe të shumta të emergjencës, autoambulanca dhe mjete të rënda për largimin e rrënojave dhe vagonëve të dëmtuar.
Sipas autoriteteve, më shumë se 70 autoambulanca janë përfshirë në operacionet e transportimit dhe evakuimit të të plagosurve, të cilët janë dërguar në spitalet e afërta për trajtim mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se ministri Khaled Abdel Ghaffar po e përcillte nga afër situatën pas aksidentit, ndërsa kishte urdhëruar të gjitha institucionet shëndetësore në provincat Giza dhe Beni Suef që të rrisnin nivelin e gatishmërisë dhe të siguronin të gjithë mbështetjen e nevojshme mjekësore.
Të dhënat mjekësore tregojnë se të lënduarit kanë pësuar dëmtime të ndryshme, përfshirë mavijosje, fraktura të gjymtyrëve, dëmtime në legen dhe rruaza të shtyllës kurrizore, si dhe plagë në kokë dhe fytyrë.
Ministria konfirmoi se një pjesë e pacientëve vazhdonin të merrnin trajtim në spital, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të personelit mjekësor.
Në ndihmë të viktimave dhe familjarëve të tyre ka dalë edhe Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane, e cila dërgoi ekipe nga selia qendrore dhe degët në Giza, Fayoum dhe Beni Suef. Përveç ndihmës së drejtpërdrejtë, organizata po ofron edhe mbështetje psikologjike për personat e prekur nga tragjedia.
Përmes një deklarate, organizata shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, duke theksuar se punonjësit dhe vullnetarët e saj po qëndronin pranë të gjithë personave të prekur.
Presidenti el-Sisi kërkon hetim urgjent dhe përgjegjësi për fajtorët
Lajmi për aksidentin ka nxitur reagime në nivelet më të larta të shtetit egjiptian.
Presidenti Abdel-Fattah el-Sisi deklaroi se po e ndiqte me shqetësim të madh situatën pas përplasjes së trenave, ndërsa shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjet që humbën të afërmit e tyre.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se kishte udhëzuar institucionet shtetërore që të siguronin kujdesin e nevojshëm mjekësor për të gjithë të plagosurit, të nisnin menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe të mbanin përgjegjës çdo person që rezulton se ka neglizhuar detyrat e tij.
Edhe kryeministri egjiptian, Mostafa Madbouly, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave. Sipas gazetës egjiptiane Youm7, ai premtoi se familjeve të prekura do t’u ofrohej çdo formë e nevojshme mbështetjeje, ndërsa u uroi shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.
Madbouly gjithashtu bëri të ditur se do të përcillte nga afër përpjekjet për t’u siguruar viktimave trajtimin dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Ndërkohë, ministri i Transportit, Kamel al-Wazir, ka vizituar vendin e aksidentit, ku po vazhdonin operacionet për largimin e vagonëve të dëmtuar dhe rikthimin e qarkullimit hekurudhor në normalitet.
Përplasja ka rikthyer edhe një herë thirrjet për dorëheqjen e ministrit të Transportit, për shkak të numrit të madh të aksidenteve vdekjeprurëse që kanë ndodhur ndër vite në rrjetin hekurudhor të Egjiptit.
Prokuroria nis hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit
Prokuroria Publike e Egjiptit ka nisur zyrtarisht hetimet për tragjedinë, me qëllim përcaktimin e rrethanave dhe shkaqeve që çuan në përplasjen e dy trenave.
Në një deklaratë të publikuar në Facebook, institucioni bëri të ditur se hetuesit kishin mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kishin nisur këqyrjen e detajuar të zonës ku ndodhi aksidenti.
Në kuadër të hetimeve do të ekzaminohen vagonët e dëmtuar, binarët hekurudhorë dhe hapësira përreth, ndërsa do të analizohen edhe procedurat e funksionimit të trenave dhe masat e sigurisë që duhej të ishin zbatuar.
Prokuroria synon të identifikojë çdo mangësi të mundshme në procedurat operative dhe sistemet e sigurisë, të cilat mund të kenë ndikuar në shkaktimin e aksidentit.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë një përfundim zyrtar për shkakun e përplasjes. Një nga elementet kryesore që po shqyrtohet është fakti se treni Kajro-Aswan kishte ndaluar në binarë, ndërsa treni që vinte nga Giza u përplas me vagonin e tij të fundit.
Vendi i aksidentit, një nga zonat me historinë më tragjike hekurudhore në Egjipt
Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë aksident është fakti se distrikti al-Ayyat, ku ndodhi përplasja, ka qenë skenë e disa prej tragjedive më të rënda hekurudhore në historinë e Egjiptit.
Më e rënda prej tyre ndodhi në shkurt të vitit 2002, kur një zjarr i fuqishëm përfshiu një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Kajro drejt qytetit Luxor, në jug të vendit.
Zjarri shpërtheu në trenin që transportonte udhëtarë drejt jugut të Egjiptit, ndërsa përhapja e flakëve shkaktoi një katastrofë me përmasa të mëdha. Treni vazhdoi të lëvizte për rreth nëntë kilometra përpara se të ndalonte, duke bërë që shumë pasagjerë të mbeteshin të bllokuar brenda vagonëve.
Më shumë se 370 persona u raportuan zyrtarisht të vdekur, megjithëse disa vlerësime sugjerojnë se numri real i viktimave mund të ketë qenë edhe më i lartë. Kjo ngjarje konsiderohet si fatkeqësia më vdekjeprurëse hekurudhore në historinë e vendit.
Problemet nuk përfunduan me kaq. Në vitin 2009, dy aksidente të tjera hekurudhore në të njëjtën zonë shkaktuan dhjetëra viktima.
Ndërsa në shtatorin e vitit të kaluar, një tjetër incident u regjistrua në distriktin al-Ayyat, ku dy trena mallrash u përplasën, duke lënduar drejtuesin e njërit prej trenave dhe ndihmësin e tij.
Egjipti përballet me një histori të gjatë aksidentesh hekurudhore
Aksidenti i fundit e rikthen në vëmendje gjendjen e infrastrukturës hekurudhore në Egjipt, një shtet me rreth 110 milionë banorë, ku transporti me trena mbetet një nga mënyrat më të rëndësishme dhe më të përballueshme të udhëtimit.
Egjipti ishte vendi i parë në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme që prezantoi transportin hekurudhor. Sot, rrjeti i tij konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në kontinentin afrikan, por një pjesë e konsiderueshme e infrastrukturës vazhdon të ketë nevojë për modernizim.
Gjatë dekadës së fundit, qeveria egjiptiane ka investuar miliarda dollarë në përmirësimin e infrastrukturës së transportit, përfshirë ndërtimin e autostradave të reja dhe linjave hekurudhore me shpejtësi të lartë.
Megjithatë, shumë prej shërbimeve ekzistuese të trenave dhe pjesëve të rrjetit tradicional hekurudhor ende nuk janë modernizuar në nivelin e nevojshëm.
Një tjetër tragjedi e rëndë ndodhi në gusht të vitit 2017, kur dy trena pasagjerësh u përplasën pranë qytetit bregdetar të Aleksandrisë, duke shkaktuar më shumë se 40 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Trenat transportonin kryesisht udhëtarë me të ardhura të ulëta
Dy trenat e përfshirë në aksidentin e së dielës shërbenin për destinacione të ndryshme, por kishin një rëndësi të veçantë për qytetarët e zakonshëm.
Treni i parë po udhëtonte drejt Fayoumit, një qytet rreth 100 kilometra larg Kajros, ndërsa treni tjetër kishte për destinacion Aswanin, në jug të vendit, rreth 900 kilometra larg kryeqytetit.
Të dyja linjat përdoren kryesisht nga udhëtarë me të ardhura më të ulëta, për të cilët transporti hekurudhor përbën një nga mënyrat më ekonomike për të udhëtuar në distanca të gjata.
Biletat për udhëtimin më të shkurtër drejt Fayoumit kushtojnë më pak se një dollar, ndërsa udhëtimi shumë më i gjatë drejt Aswanit kushton më pak se 10 dollarë.
Kjo varësi e madhe e qytetarëve nga transporti hekurudhor e bën sigurinë e këtij rrjeti një çështje veçanërisht të rëndësishme për vendin.
Ndërkohë, marrja e dëshmive dhe rrëfimeve personale nga pasagjerët mund të kërkojë kohë. Shumë prej udhëtarëve që përdorin këto linja vijnë nga komunitete me të ardhura të ulëta dhe jo të gjithë posedojnë telefona inteligjentë, çka mund të vonojë publikimin e fotografive, videove dhe dëshmive të drejtpërdrejta nga vendi i ngjarjes.
Reagime dhe ngushëllime nga shtetet e huaja
Tragjedia ka nxitur reagime edhe jashtë Egjiptit, ku disa shtete kanë shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave.
Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite shprehu solidaritetin me Egjiptin dhe u uroi shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.
Edhe ambasadori turk në Egjipt reagoi përmes një postimi në platformën X, duke shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta për viktimat, familjet e tyre dhe popullin egjiptian.
Ngushëllime përcollën gjithashtu Ministria e Jashtme e Jemenit dhe ajo e Jordanisë, të cilat shprehën keqardhje për humbjen e jetëve dhe solidaritet me të gjithë personat e prekur nga aksidenti.
Hetimet për zbardhjen e plotë të tragjedisë vazhdojnë, ndërsa autoritetet egjiptiane ende nuk kanë përcaktuar shkakun përfundimtar të përplasjes. Në qendër të tyre mbetet përgjegjësia për ndalimin e njërit tren në binarë dhe dështimi i mundshëm i procedurave që duhej të parandalonin përplasjen.