
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhet sot për të caktuar rendin e ditës për seancën e radhës plenare, ku pritet të trajtohen disa nga çështjet më kryesore me interes publik në vend.
Në fokus të këtij takimi është propozuar interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Kjo interpelancë vjen pas rastit tragjik të vdekjes së pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur për katër muaj me radhë pa marrë terapinë e nevojshme, si dhe për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme lidhur me mungesën e barnave esenciale onkologjike.
Një tjetër pikë me rëndësi që është përfshirë në rendin e ditës është mocioni përmbajtjesor mbi gjendjen aktuale në sektorin e energjisë, me fokus te planifikimi, çmimi dhe furnizimi me energji elektrike në Kosovë.
Punimet e seancës së ardhshme pritet të nisin me miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme, ndërsa deputetët do të kenë hapësirën e zakonshme për të bërë deklarime jashtë rendit të ditës dhe për të parashtruar pyetje parlamentare për kabinetin qeveritar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali