
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar gjatë një interviste për rrjetin mediatik CNN se është “shumë pak e mundshme” që të rinisë një luftë e hapur me Iranin. Kjo deklaratë vjen teksa bisedimet për kufizimin e programit bërthamor iranian dhe rihapjen e Ngushticës strategjike të Hormuzit po shënojnë përparim.
Trump ka bërë të ditur se rrjedha e ngjarjeve varet drejtpërdrejt nga veprimet e Teheranit zyrtar. “Varet nëse ata nënshkruajnë një marrëveshje shumë të fortë,” ka thënë presidenti amerikan, duke shtuar se “përgjigja është se ka shumë pak gjasa që të jetë e nevojshme [lufta]. Ata janë një komb në dështim.”
Pavarësisht kësaj, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk e ka përjashtuar mundësinë e goditjeve ushtarake nëse e vlerëson të nevojshme, duke përsëritur kërcënimet për shkatërrimin e infrastrukturës kryesore në Iran.
“Kemi tre aeroplanmbajtëse këtu. Një tjetër sapo ka mbërritur. Janë plotësisht të armatosura,” është shprehur Trump. “Kemi 38 ura në shënjestër që mund t’i rrëzojmë brenda një ore.”
Përmes një postimi të mëvonshëm në platformën Truth Social, Trump ka konfirmuar se njësia e posaçme “Task Force Iron Gate” është në fuqi të plotë ndaj Republikës Islamike të Iranit. Ai ka nëvizuar se kjo masë, e kombinuar me bllokadën detare, bën që lëvizja e mallrave hyrëse dhe dalëse nga Irani të jetë pothuajse e pamundur. Kushtet kryesore të Uashingtonit mbeten hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit dhe zotimi i prerë i Iranit për të mos zhvilluar armë bërthamore.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka njoftuar krijimin zyrtar të “Task Force Iron Gate”, një iniciativë ushtarake që synon parandalimin e transportit të armëve të avancuara, teknologjisë me përdorim të dyfishtë dhe materialeve nën sanksione përgjatë kufijve tokësorë iranianë dhe Detit Kaspik, teksa bllokada detare në portet iraniane vazhdon prej muajsh.
Konflikti, i cili ka hyrë në muajin e tij të tetë, ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë globale, duke nxitur inflacionin dhe rritjen e çmimeve të naftës. Pas fitores së Demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit, mbi presidentin Trump pritet të shtohet presioni politik për përmbylljen e konfliktit, pasi çmimet e larta të karburantit patën ndikim negativ në rezultatin zgjedhor të Republikanëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali