Nga një lagje në tjetrën, e deri te komunat fqinje – fshati Pagarushë në Malishevë vendos tabela orientuese

Nga një lagje në tjetrën, e deri te komunat fqinje – fshati Pagarushë në Malishevë vendos tabela orientuese

Written by

in

Fshati Pagarushë i Komunës së Malishevës ka përfunduar projektin e vendosjes së tabelave orientuese në të gjithë territorin e fshatit, me qëllim lehtësimin e orientimit për banorët dhe vizitorët.

Përmes një njoftimi në Facebook, Komisioni për Mirëmbajtjen e Hapësirave Publike në Pagarushë ka bërë të ditur se me këtë projekt janë shënuar kufijtë administrativë të fshatit, rrugët, drejtimet për komunat e tjera, lagjet dhe pikat kryesore orientuese.

Sipas njoftimit, tabela të veçanta janë vendosur edhe për objektet dhe lokacionet me rëndësi për fshatin, përfshirë Kompleksin Memorial “Nexhmije Pagarusha”, Muzeun e Trashëgimisë së Luftës, xhaminë dhe shkollën “Vesel Pagarusha”.

Vlera e përgjithshme e projektit është 4,500 euro, ndërsa realizimi i tij është mundësuar përmes kontributit të Komunës së Malishevës dhe donatorëve të tjerë.

Komuna e Malishevës ka kontribuar me 990 euro, ndërsa pjesa tjetër është mbuluar nga donatorë individualë, kryesisht bashkatdhetarë dhe banorë të fshatit.

Në njoftim, Komisioni ka falënderuar të gjithë donatorët, ekipin që ka punuar në terren, veçanërisht Xhevat Krasniqin, si dhe Bekim Jetullah Kryeziun për kontributin në betonimin e pllakës kryesore në hyrje të fshatit.

“Merita të veçantë kanë bashkatdhetarët tanë, të cilët vazhdojnë të dëshmojnë dashurinë dhe përkushtimin ndaj vendlindjes, duke mos kursyer kontributin e tyre që Pagarusha të marrë gjithnjë e më shumë pamjen që meriton”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Komisioni ka bërë të ditur se në të ardhmen planifikohet vendosja e tabelave të veçanta për shënimin dhe promovimin e pikave turistike të Pagarushës.

Me këtë projekt synohet të lehtësohet orientimi në fshat dhe të rritet informimi i vizitorëve për lokacionet me rëndësi kulturore, historike dhe turistike. /Telegrafi/