
Komisioni Hetimor Parlamentar, i mandatuar për të hetuar veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt si dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve e grave, do të mblidhet sot në orën 13:00.
Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje është paraparë plotësim-ndryshimi i planit të punës dhe kalendarit të aktiviteteve, hartimi i listës preliminare të dokumenteve që do t’u kërkohen institucioneve relevante, si dhe miratimi i buxhetit të vetë komisionit.
Përveç këtij komisioni, agjenda parlamentare e të hënës parashikon edhe mbledhjet e tri komisioneve të tjera të Kuvendit.
Në orën 10:00 do të mblidhet Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Në rend dite ka shqyrtimin e katër projektligjeve për ratifikimin e marrëveshjeve me Suedinë dhe Belgjikën, që lidhen me ekstradimin, transferimin e personave të dënuar dhe ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.
Ndërkaq, në orën 11:00, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të zhvillojë takim me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László Dux.
Në orën 12:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Arsim dhe Shkencë, i cili do të shqyrtojë propozimin e Qeverisë për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës dhe raportin vjetor të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për vitet 2024 dhe 2025.
Burimi: Insajderi