
Një vizitë te dentisti në Klinë ka përfunduar me një incident të rëndë familjar, pasi një 27-vjeçar dyshohet se ka sulmuar motrën e tij brenda një ordinance stomatologjike, duke e tërhequr për flokësh dhe duke e nxjerrë zvarrë jashtë lokalit, mëson Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 8 nëntor, rreth orës 17:48, në rrugën “Sadik Rama” në Klinë, në ordinancën stomatologjike “Keka Med”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, vëllai dhe motra kishin shkuar së bashku në ordinancë, ku 27-vjeçari kishte planifikuar të hiqte një dhëmb.
Mirëpo, gjatë qëndrimit aty, mes tyre kishte nisur një mosmarrëveshje verbale, e cila më pas ishte përshkallëzuar në dhunë fizike.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari, A.D. (27), dyshohet se e ka kapur motrën e tij, J.D. (37), për flokësh dhe e ka tërhequr zvarrë deri jashtë ordinancës.
Pas raportimit të incidentit, në vendngjarje ka intervenuar patrulla policore, e cila i ka shoqëruar të dy në Stacionin Policor në Klinë.
Vëllai dhe motra janë intervistuar nga hetuesi përgjegjës për rastet e dhunës në familje, ndërsa për ngjarjen është njoftuar Prokuroria.
Me vendim të Prokurorisë, ndaj 27-vjeçarit është iniciuar rasti për veprën penale “Dhuna në familje” dhe ai është ndaluar për 48 orë.
Motra e tij, pas përfundimit të procedurave policore, është kthyer në shtëpinë e saj.
Shënim Personiak prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali