Tahiri: Ligji për Specialen duhet të zbatohet pa përjashtime

Tahiri: Ligji për Specialen duhet të zbatohet pa përjashtime

Written by

in

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka deklaruar se zbatimi i ligjeve nuk mund të varet nga vullneti i institucioneve apo i individëve.

“Ligjet që miraton Kuvendi nuk janë rekomandime dhe as çështje vullneti: ato janë detyrim dhe duhet të zbatohen”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka bërë thirrje që institucionet dhe qytetarët të mbështesin zbatimin e secilit nen të ligjit, pa përjashtime dhe pa paqartësi.

“Tani është koha që të gjithë, institucionet dhe qytetarët, t’i qëndrojmë fuqishëm prapa çdo neni të këtij ligji dhe të kërkojmë zbatimin e tij të plotë, pa përjashtime dhe pa ekuivokë”, ka theksuar ai.

Tahiri ka shtuar se nuk duhet të ketë hezitim në zbatimin e ndryshimeve ligjore, duke përsëritur qëndrimin e PDK-së se Kosova duhet të veprojë si shtet sovran.

“Kosova duhet të veprojë si shtet sovran, dhe do të veprojë si i tillë”, ka deklaruar Tahiri.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të sponsorizuara nga PDK-ja, parashohin kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale dhe bartjen në Kosovë të shkallës së tretë të gjykimit në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Miratimi i këtyre ndryshimeve është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian, i cili ka shprehur “shqetësim të thellë”, duke vlerësuar se ligji është “në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës”.

Çështja ka nxitur debat politik dhe protesta, ndërsa ndryshimet u bënë pjesë e marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së për votimin e projektligjit në lexim të dytë.

Ndërkohë, pas vendimeve të shpallura më 16 shtator ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, në Kosovë dhe në vende të tjera ku jetojnë shqiptarë janë mbajtur protesta të vazhdueshme. Një protestë është paralajmëruar edhe në Bruksel më 10 tetor.

Burimi: RTKLive