
Një shofer i kompanisë SCAN Taxi ka përfunduar në prangat e Policisë në Prishtinë, pasi fillimisht i është shmangur një pike kontrolli, ndërsa më pas ka tentuar të largohet me vrap kur zyrtarët policorë kanë kërkuar kontrollimin e veturës së tij private.
Sinjali raporton me burime se i arrestuari është Gentrit Jashari, 21-vjeçar, i cili është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorisë.
Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 8 nëntor, rreth orës 20:20, në rrugën “Ramiz Cernica” në Prishtinë.
Sipas raportimit, zyrtarët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë kishin vendosur një pikë kontrolli kur drejtuesi i një taksie të kompanisë SCAN Taxi, të markës Dacia, sapo kishte vërejtur Policinë, kishte ndryshuar drejtimin duke hyrë në një rrugë dytësore
Megjithatë, dyshimet e policëve kishin vazhduar dhe ata kishin kërkuar kontrollimin e një veture tjetër, Audi A6 me ngjyrë të zezë, në pronësi të prindit të të dyshuarit, e cila ndodhej e parkuar në hapësirën e kompanisë.
Në momentin kur zyrtarët policorë i kërkuan ta hapte automjetin, 21-vjeçari nisi të vraponte për t’u larguar.
Pas një ndjekjeje prej rreth 300 metrash, ai u ndalua dhe u arrestua, megjithëse sipas informacioneve policore kishte bërë rezistencë gjatë arrestimit.
553 gramë marihuanë në çantën e lënë në ulësen e pasagjerit
Gjatë kontrollimit të Audi-së, Policia gjeti në ulësen e pasagjerit një çantë, brenda së cilës ndodhej një qese me 553 gramë substancë të dyshuar marihuanë.
Substanca është sekuestruar nga krimteknika, ndërsa Policia ka konfiskuar edhe automjetin.
Më pas, hetuesit e Njësisë Antidrogë kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe objektet përcjellëse, por nuk kanë gjetur sende të tjera të dyshimta.
Pas konsultimit me Prokurorinë, ndaj Gentrit Jasharit është iniciuar rasti për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Burimi: Insajderi