Arrestohet në Mal të Zi kreu i rrjetit rus “Rybar”

Arrestohet në Mal të Zi kreu i rrjetit rus “Rybar”

Written by

in

Arrestohet në Mal të Zi kreu i rrjetit rus “Rybar”

Kreu i rrjetit të njohur rus të luftës “Rybar”, Mikhail Zvinchuk, është arrestuar të premten në Mal të Zi, pas paralajmërimeve për përpjekje për destabilizimin e vendit.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri malazez, Milojko Spajiq.

Sipas gazetës malazeze “Pobjeda”, e cila citon burime, Zvinchuk u ndalua nga policia dhe agjentët e sigurisë në qytetin bregdetar të Risanit, së bashku me bashkëshorten e tij dhe tre shtetas të tjerë rusë.

Ata dyshohet se janë përfshirë në përhapjen e “ndikimit rus”, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv

Blogu “Rybar”, një nga platformat më të njohura ruse që mbulon luftën në Ukrainë, me më shumë se 1.5 milionë abonentë, publikoi një mesazh ku tha se Zvinchuk dhe personat e tjerë ndodheshin ligjërisht në Mal të Zi dhe se planifikonin të realizonin xhirime në një manastir.

“Për momentin, ekipi i projektit është në kontakt me Ministrinë e Jashtme të Rusisë, e cila po punon për zgjidhjen e situatës. Meqë nuk ka pasur shkelje të legjislacionit vendor, presim që të gjithë të ndaluarit të lirohen”, thuhet në deklaratën e “Rybar”.

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, konfirmoi ndalimin e Zvinchukut përmes një postimi në platformën X.

Ai tha se operacioni pasoi paralajmërimet se vendi mund të përballej me përpjekje për destabilizim dhe luftë hibride, pra veprime që nuk arrijnë nivelin e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

“Ka indikacione serioze që kërkojnë shqyrtimin e kujdesshëm të çdo piste dhe vlerësimin e çdo lidhjeje në një kontekst më të gjerë”, shkroi Spajiq.

“Mesazhi pas operacionit të suksesshëm të sotëm, në të cilin u ndalua kreu i rrjetit informativ ‘Rybar’, është i qartë: Mali i Zi po mbron interesat e veta dhe askush nuk do ta rrezikojë të ardhmen tonë evropiane”, shtoi ai, transmeton Klankosova.tv