Hapet oferta financiare për ankandin e parë konkurrues të energjisë së erës në Kosovë

Hapet oferta financiare për ankandin e parë konkurrues të energjisë së erës në Kosovë

Written by

in

Ministria e Ekonomisë ka mbajtur ceremoninë e hapjes publike të ofertave financiare në kuadër të ankandit të parë konkurrues për energjinë e erës në Kosovë, me kapacitet të synuar prej 50 deri në 100 megavat (MW). Në këtë fazë të procesit janë hapur ofertat financiare të dy ofertuesve që kanë kaluar me sukses vlerësimin e kërkesave ligjore, financiare dhe teknike.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky proces është vazhdim i përvojës së krijuar nga ankandi i parë për energjinë e ripërtëritshme, ndërsa theksoi se këtë herë procesi është më kompleks për shkak të teknologjisë së përdorur dhe punës së bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Ajo bëri të ditur se pas parakualifikimit të tre ofertuesve, në shtator janë pranuar tri oferta, ndërsa pas shqyrtimit nga komisioni vlerësues, dy prej tyre janë kualifikuar për fazën e hapjes së ofertave financiare.

“Këtë rrugë e nisëm duke u mbështetur në përvojën e ankandit të parë prej 100 MW, për të cilin jam e gëzuar të them se tashmë po ndërtohet me një shpejtësi të madhe. Si një përvojë e parë, ai e hapi rrugën që së bashku, kësaj radhe me mbështetjen e EFS-së dhe të GIZ-it, të vazhdojmë me këtë ankand të dytë, i cili është më kompleks për shkak të punës që kemi bërë me teknologjinë e erës. Ajo bëri të ditur se pas parakualifikimit të tre ofertuesve, në shtator janë pranuar tri oferta, ndërsa pas shqyrtimit nga komisioni vlerësues, dy prej tyre janë kualifikuar për fazën e hapjes së ofertave financiare. Këtë rrugë e nisëm duke u mbështetur në përvojën e ankandit të parë prej 100 MW, për të cilin jam e gëzuar të them se tashmë po ndërtohet me një shpejtësi të madhe. Si një përvojë e parë, ai e hapi rrugën që së bashku, kësaj radhe me mbështetjen e EFS-së dhe të GIZ-it, të vazhdojmë me këtë ankand të dytë, i cili është më kompleks për shkak të punës që kemi bërë me teknologjinë e erës”, ka thënë ajo.

“Deri këtu kemi pasur një punë të përbashkët dhe të gjatë. Pas parakualifikimit të tre ofertuesve që plotësonin kërkesat ligjore, financiare dhe teknike të dosjes së ankandit, publikuam kërkesën për propozime, e cila u pasua me konferencën e para-ofertimit. Në shtator pranuam tri oferta, me ç’rast komisioni shqyrtoi përmbushjen e kërkesave dhe nëse ofertuesit i plotësonin kushtet, si dhe nëse projektet ishin të realizueshme. Në këtë fazë u kualifikuan dy ofertues, të cilët i kemi këtu sot. Sot po hapim propozimet financiare të dy ofertuesve që kanë përmbushur kërkesat për dhënien e projektit prej 50 deri në 100 MW. Mes tyre do të përcaktohet ofertuesi me çmimin më të ulët, ashtu siç jemi zotuar që përmes një procesi transparent dhe konkurrues t’u sigurojmë qytetarëve të Republikës së Kosovës çmimin më të mirë“, deklaroi Rizvanolli.

Ministrja theksoi se rëndësia e këtij investimi lidhet edhe me profilin e prodhimit të energjisë nga era, i cili përputhet me periudhat kur Kosova ka kërkesën më të madhe për energji elektrike, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë dhe në orët e mbrëmjes.

“Për Kosovën, vlera e këtij investimi lidhet edhe me kohën kur na nevojitet energjia. Profili i prodhimit nga era përputhet mirë me kërkesën tonë më të lartë për energji gjatë muajve të ftohtë dhe në orët e mbrëmjes. Prandaj, projektet e tilla janë veçanërisht të rëndësishme për sistemin elektroenergjetik të Kosovës. Kapacitetet që do të dalin nga ky ankand do t’u shtohen investimeve që tashmë po e rrisin prodhimin vendor. Në shtator pranuam edhe 70 MW të reja të erës në Zatriq dhe hap pas hapi po e zgjerojmë bazën tonë prodhuese nga burimet e ripërtëritshme. Për bizneset dhe familjet e Kosovës, rritja e prodhimit vendor nënkupton më pak ekspozim ndaj importit të shtrenjtë dhe luhatjeve në tregjet ndërkombëtare, të cilat fatkeqësisht po i shohim edhe këto ditë që po flasim. Në vijim, gjatë javëve ose muajve të ardhshëm, do të vazhdojmë menjëherë me hapjen e rundit të ri të ankandit të erës, me deri në 200 MW të tjera. Pra, së bashku me këtë ankand, bëhet fjalë për deri në 300 MW energji nga era. Tani që e kemi përvojën dhe tani që korniza ligjore dhe rregullative e nevojshme është zhvilluar me shumë kujdes përgjatë kësaj periudhe, jemi të bindur se ankandet e radhës dhe projektet e ardhshme do të zhvillohen shumë më shpejt“, tha ministrja Rizvanolli.

Ndërkaq, kryesuesja e Komisionit vlerësues për vlerësimin e ofertave të procesit konkurrues për projektin e energjisë së erës me kapacitet të synuar prej 50 deri në 100 MW, Arbëresha Isufi, sqaroi se ceremonia është zhvilluar në përputhje me kërkesën për propozime dhe kuadrin ligjor në fuqi.

Ajo theksoi se vlerësimi i kushteve ligjore dhe propozimeve teknike tashmë ka përfunduar dhe se në këtë fazë hapen vetëm ofertat financiare të ofertuesve të cilësuar si të përgjegjshëm.

“Kjo ceremoni u zhvillua në përputhje me kërkesën për propozime (KPP) dhe kuadrin ligjor të zbatueshëm për këtë proces të prokurimit publik. Vlerësimi i kushteve ligjore dhe i propozimeve teknike ka përfunduar. Në përputhje me KPP-në, sot do të hapen vetëm ofertat financiare të ofertuesve të përcaktuar si ofertues të përgjegjshëm. Qëllimi i ceremonisë së sotme është hapja publike e këtyre ofertave financiare dhe shpallja e informatave që kërkohen shprehimisht nga KPP-ja. Ecuria e ceremonisë dhe informatat e shpallura sot do të regjistrohen në procesverbalin zyrtar të ceremonisë së hapjes së ofertave financiare“, deklaroi Isufi./EO

Burimi: Dukagjini