Ndalet qarkullimi i trenave në Kosovë, punëtorët e Infrakos-it hyjnë në grevë

Ndalet qarkullimi i trenave në Kosovë, punëtorët e Infrakos-it hyjnë në grevë

Written by

in

Ndalet qarkullimi i trenave në Kosovë, punëtorët e Infrakos-it hyjnë në grevë

Qarkullimi i trenave në Kosovë është ndërprerë mëngjesin e sotëm, pasi punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Infrakos” kanë hyrë në grevë, duke kërkuar rritjen dhe indeksimin e pagave, si dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Greva ka nisur në orën 08:00 dhe ka përfshirë të gjithë territorin e Kosovës, duke shkaktuar edhe pezullimin e linjës hekurudhore Prishtinë–Pejë dhe anasjelltas.

Kryetari i Sindikatës së Infrakos-it, Hysen Nikqi, ka deklaruar se vendimi për grevë është marrë pas mungesës së reagimit nga bordi dhe menaxhmenti i ndërmarrjes ndaj kërkesave të punëtorëve.

Sipas tij, sindikata kishte organizuar një protestë paralajmëruese dy javë më parë, me qëllim që të tërhiqte vëmendjen e institucioneve përgjegjëse, por kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje konkrete.

“Kjo është faza e parë e grevës. Nuk kemi dëshiruar ta organizojmë, por kemi qenë të detyruar, pasi kërkesat tona të drejta dhe ligjore nuk kanë marrë asnjë përgjigje”, ka deklaruar Nikqi.

Ai ka paralajmëruar se ndërprerja e shërbimeve hekurudhore do të vazhdojë derisa bordi i ndërmarrjes të marrë një vendim zyrtar me shkrim për adresimin e kërkesave.

“Asnjë shërbim, asnjë qarkullim, as sot, as nesër, por këtë e ndryshon vetëm vendimi i bordit. Nëse ata marrin një vendim dhe ne e kemi një vendim të shkruar, jo vetëm fjalë, atëherë Këshilli organizohet dhe e përfundon grevën”, ka theksuar ai.

Kërkesa kryesore e punëtorëve mbetet indeksimi i pagave, ndërsa ata kërkojnë edhe rritjen e kompensimit për shujtë dhe pagesën retroaktive për tre muajt e fundit.

Anëtari i sindikatës, Ekrem Tahiri, ka thënë se greva është rezultat i mosadresimit të problemeve të punëtorëve nga drejtuesit e ndërmarrjes.

Ai ka kritikuar edhe shumën aktuale të kompensimit për ushqim, duke theksuar se 2.50 euro janë të pamjaftueshme për një punëtor që kryen një ndërrim tetëorësh.

“Përpos indeksimit është rritja e shujtës. Marrë parasysh që një punëtor sot të vijë të bëjë shërbim në tetë orë këtu dhe me 2 euro e gjysmë ta kalojë një ditë, nuk di sa do të mund të jetë ai njeri tamam në shërbim”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkohë, ndërmarrja “Trainkos” ka njoftuar udhëtarët për ndërprerjen e transportit hekurudhor, duke kërkuar mirëkuptim dhe duke bërë të ditur se shërbimet do të rifillojnë sapo të krijohen kushtet për operim.

Greva e punëtorëve ishte paralajmëruar më 26 tetor, gjatë protestës së organizuar para stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë.

Përveç çështjes së pagave, punëtorët kërkojnë kushte më të mira dhe siguri më të lartë në vendin e punës, ndërsa paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen nga greva pa marrë një përgjigje konkrete nga organet drejtuese.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali