Këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Durim Elshani, ka reaguar pas deklaratës së deputetit të LDK-së, Armend Zemaj, i cili e sfidoi Qeverinë që të publikojë emrat e së paku 17 nga 171 profesionistët shëndetësorë që sipas kryeministrit Albin Kurti, janë kthyer nga diaspora gjatë vitit 2025.
Elshani, përmes një postimi në Facebook, ka publikuar të dhëna thotë se janë siguruar nga Bordi për Licencimin e Profesionistëve të Huaj Shëndetësorë dhe Oda e Mjekëve të Kosovës, duke sqaruar se çfarë përfaqëson shifra prej 171 profesionistësh.
Sipas tij, gjatë vitit 2025 janë licencuar gjithsej 171 profesionistë shëndetësorë shqiptarë, kryesisht nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare.
Prej tyre, 12 janë profesionistë shëndetësorë me nënshtetësi të Kosovës, të cilët pas përfundimit të specializimit në vendet evropiane janë kthyer për të punuar në Kosovë.
Ndërkaq, 159 të tjerët janë profesionistë shqiptarë me nënshtetësi të huaj ose me dy nënshtetësi, të cilët janë pajisur me licenca nga Bordi për Shkollim Specialistik për të ushtruar profesionin në Kosovë.
“Pra, gjithsej janë 171 profesionistë shqiptarë që kanë zgjedhur të kthehen dhe të punojnë në Kosovë dhe që tashmë janë pajisur me licencat përkatëse për ta ushtruar profesionin e tyre”, ka shkruar Elshani.
Në reagimin e tij, këshilltari i ministrit Vitia është ndalur edhe te numri i profesionistëve shëndetësorë që kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar për punë në vendet evropiane.
Duke iu referuar të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, ai ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025, gjithsej 95 profesionistë shëndetësorë kanë kërkuar dokumentet përkatëse.
Sipas tij, ky është numri më i ulët ndër vite, krahasuar me vitin 2022 kur 211 profesionistë shëndetësorë kishin kërkuar dokumentacion të tillë.
Elshani ka theksuar se marrja e dokumenteve për aplikim jashtë vendit nuk nënkupton domosdoshmërisht se profesionistët janë pajisur me licenca në shtetet evropiane apo se janë larguar nga Kosova.
Ai ka përmendur edhe raste të profesionistëve që kanë marrë pushim pa pagesë, kanë punuar për një periudhë të shkurtër jashtë vendit dhe më pas janë kthyer në Kosovë.
Reagimi i Elshanit vjen pas debatit të hapur lidhur me shifrën prej 171 mjekësh të kthyer nga diaspora, të cilën e kishte prezantuar kryeministri Albin Kurti.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, kishte kërkuar që Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja të ofrojnë emrat e së paku 17 specialistëve që janë kthyer nga mërgata gjatë vitit 2025 dhe janë punësuar me kontrata të rregullta në sistemin publik shëndetësor të Kosovës.
“E sfidoj cilindo përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë apo SHSKUK-së që të na ofrojë vetëm 17 emra të mjekëve specialistë, jo 171”, kishte deklaruar Zemaj. /Telegrafi/