Blerta Kllokoqi-Rugova publikon librin e parë të titulluar “RUGOVIZMI: Revolucion i qetë – që fillon brenda nesh”

Blerta Kllokoqi-Rugova publikon librin e parë të titulluar “RUGOVIZMI: Revolucion i qetë - që fillon brenda nesh”

Written by

in

Blerta Kllokoqi-Rugova ka publikuar librin e saj të parë, të titulluar “RUGOVIZMI: Revolucion i qetë – që fillon brenda nesh”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe disa fotografi duke pozuar me kopertinën e librit.

Kllokoqi-Rugova ka treguar se këtë libër e ka shkruar me shpresën që lexuesit të gjejnë pak nga vetja në faqet e tij.

“Sot dua të ndaj me ju diçka shumë të veçantë për mua. Për një kohë të gjatë, kam menduar, kam pyetur dhe kam kërkuar përgjigje për shumë gjëra që na shqetësojnë si njerëz dhe si shoqëri. Disa prej këtyre mendimeve i kam ndarë me ju, e shumë të tjera i kam mbajtur brenda vetes. Sot, ato kanë marrë formën e një libri. RUGOVIZMI, Revolucion i qetë – që fillon brenda nesh”, ka shkruar ajo në postimin e saj.

“Rugovizmi përtej politikës. Rugovizmi përtej historisë. Rugovizmi si udhërrëfyes për jetën e përditshme. Për mua, Rugovizmi është shumë më tepër se një periudhë apo një trashëgimi që duhet kujtuar. Është një mënyrë e të menduarit, të jetuarit dhe të vepruarit. Është dinjiteti në mënyrën si sillemi me njëri-tjetrin, qetësia përballë vështirësive dhe përgjegjësia që marrim për jetën tonë dhe shoqërinë ku jetojmë”, potencoi reja e Rugovës.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se libri i saj do të jetë pjesë e Panairit të Librit në Tiranë, i cili mbahet në dhjetor. Sipas njoftimit të saj, libri do të jetë në shitje në libraritë e Tiranës nga 16 nëntori, ndërsa në ato të Prishtinës nga 23 nëntori.

“Nuk e di sa larg do të arrijë ky libër, por e di pse e kam shkruar. Me shpresën se secili prej jush do të gjejë pak nga vetja në faqet e tij, në mendimet, pyetjet dhe përvojat që na lidhin të gjithëve”.