Berisha para sfidës me Finlandën: Fati është në duart tona

Berisha para sfidës me Finlandën: Fati është në duart tona

Written by

in

Në konferencën për media, Berisha deklaroi se ndeshjen e 12 nëntorit, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, nuk e konsideron si një mundësi revanshi personal, por si një përballje shumë të rëndësishme për objektivat e Shqipërisë.

Ai u ndal edhe te kartoni që kishte marrë në ndeshjen e kaluar ndaj Finlandës, duke pranuar se ai moment ndikoi në rrjedhën e takimit dhe se më pas gjithçka u bë më e vështirë për skuadrën shqiptare.

“Nuk është revansh, secila ndeshje ka historinë e vet. Për ne është shumë e rëndësishme t’i kemi tifozët afër. Gjërat që kanë ndodhur në Finlandë nuk mund të kthehen prapa. Ishte një moment që ndryshoi rrjedhën e lojës. Pas tij nisën një seri gabimesh që e bënë ndeshjen më të vështirë. Nëse do ta kalonim atë moment, ndeshja ishte nën kontrollin tonë”, u shpreh Berisha.

Portieri kuqezi theksoi se Shqipëria e ka fatin në duart e veta dhe se skuadra duhet të shfrytëzojë përparësinë e fushës vendase, duke llogaritur edhe në mbështetjen e tifozëve.

“Duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës, gjithçka e kemi në dorën tonë. Ekipi do të paraqitet mirë, sepse dëshira është shumë e madhe. Tifozët do të vijnë të na përkrahin dhe besoj se do të bëjmë edhe më mirë. Dua ta vazhdoj formën e mirë edhe me Kombëtaren. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe shpresoj ta fitojmë. Kemi lojtarë cilësorë, por Finlanda nuk duhet nënvlerësuar në asnjë mënyrë”, deklaroi ai.

Berisha gjithashtu theksoi se disfata e kaluar duhet të shërbejë si mësim për të gjithë futbollistët, duke nënvizuar se ndaj Finlandës kërkohet përqendrim maksimal gjatë gjithë ndeshjes.

“Kemi marrë një mësim nga ndeshja e fundit. Nuk duhet të nënvlerësohet asnjë kundërshtar, aq më pak Finlanda. Luajmë në shtëpi dhe dëshira jonë është të paraqitemi sa më mirë”, shtoi portieri i Shqipërisë.

Në fund, i pyetur për çështjen e Kapriles, Berisha u përgjigj shkurt se nuk kishte ndonjë informacion lidhur me këtë temë.

Shqipëria synon të shfrytëzojë faktorin vendas në përballjen me Finlandën, e cila zhvillohet më 12 nëntor në stadiumin “Air Albania”.

Burimi: RTKLive