
Policia malazeze, në bashkëpunim me Agjencinë për Siguri Kombëtare (ANB), në aksionin e mëngjesit të sotëm, arritën të prangosnin drejtuesit dhe anëtarët e rrjetit rus Rybar.
Gazeta Pobjeda raportoi se është arrestuar themeluesi Mikhail Zvinchuk, gruaja e tij Valeria dhe tre anëtarë të tjerë, transmeton Klankosova.tv
Ata u kapën në qytetin bregdetar të Risanit, pasi dyshohet se janë përfshirë në përhapjen e “ndikimit rus”.
Rrjeti “Rybar”, një nga platformat më të njohura ruse që mbulon luftën në Ukrainë, me më shumë se 1.5 milionë abonentë, publikoi një mesazh ku tha se Zvinchuk dhe personat e tjerë ndodheshin ligjërisht në Mal të Zi dhe se planifikonin të realizonin xhirime në një manastir.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, konfirmoi ndalimin e tyre dhe tha se operacioni pasoi paralajmërimet se vendi mund të përballej me përpjekje për destabilizim dhe luftë hibride.
“Ka indikacione serioze që kërkojnë shqyrtimin e kujdesshëm të çdo piste dhe vlerësimin e çdo lidhjeje në një kontekst më të gjerë”, shkroi Spajiq.
Bashkimi Evropian thotë se ai është anëtar i një grupi pune të formuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të koordinuar përpjekjet e mobilizimit në lidhje me luftën kundër Ukrainës. /Klankosova.tv