Në një reagim publik, LDK-ja e ka cilësuar këtë vendim të papranueshëm, duke theksuar se këto dy simbole kanë rëndësi të veçantë historike dhe shtetërore dhe nuk mund të trajtohen si elemente dekorative.
Sipas LDK-së, fotografia e Ibrahim Rugovës, të cilin e cilëson si Atin Themelues të Republikës së Kosovës, dhe Deklarata e Pavarësisë përfaqësojnë themelet e shtetësisë dhe identitetit të Kosovës.
“Largimi i këtyre dy simboleve cenon këtë respekt institucional”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Tutje, kjo parti ka theksuar se Presidenca ka përgjegjësi të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë historike, pavarësisht ndërrimit të presidentëve.
LDK-ja i ka bërë thirrje Presidentes Shiroka-Pula që ta rishikojë vendimin dhe të rikthejë fotografinë e Ibrahim Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë.
Burimi: RTKLive
