
Autoriteti Kundër Pastrimit të Parave në Greqi ka urdhëruar ngrirjen e të gjitha pasurive të dy mjekëve që janë lënë në paraburgim në kuadër të hetimeve për vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis.
Sipas mediave greke, urdhri është lëshuar nga kreu i Autoritetit Kundër Pastrimit të Parave, Charalambos Vourliotis, dhe i është përcjellë Prokurorisë.
Masa përfshin të gjitha asetet e dy mjekëve, përfshirë edhe një kasafortë bankare që ata mbanin në një bankë në zonën e Kolonakit, pranë klinikës së tyre. Autoriteti ka dhënë gjithashtu pëlqimin për hapjen e kasafortës dhe sekuestrimin e përmbajtjes së saj.
Në kuadër të hetimeve, janë dërguar kërkesa edhe në Regjistrin e Pasurive të Paluajtshme dhe te kompanitë e sigurimeve, me qëllim identifikimin e pronave dhe investimeve që mund të jenë në emrat e mjekëve. Çdo pasuri që do të identifikohet do t’i nënshtrohet sekuestrimit.
Përveç hetimeve që lidhen me vdekjen e këngëtarit, autoritetet po shqyrtojnë edhe dyshime për mashtrim, ushtrim të paligjshëm të profesionit të mjekut, evazion fiskal dhe pastrim parash.
Gjetjet e hetimit financiar dhe raporti përfundimtar pritet t’i përcillen prokurorit për veprime të mëtejshme ligjore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Vdekja e Giorgos Mazonakis, ngrijnë pasuritë e dy mjekëve të paraburgosur në Greqi appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali