
Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me rastin e marrjes së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.
Në letrën e tij, Steinmeier i përcolli presidentes Shiroka Pula urimet më të mira, në emrin e tij dhe të qytetarëve gjermanë, duke theksuar rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Fakti që tani të gjitha institucionet kushtuese janë sërish plotësisht funksionale dhe të afta për të vepruar, përbën një lehtësim të madh edhe për Gjermaninë, si shtet mik dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës. Muajt e bllokadës politike treguan se sa të çmuara janë institucionet funksionale dhe sa shumë varen nga gatishmëria e forcave politike për të marrë përgjegjësi përtej kufijve partiakë”, thuhet në letër.
Presidenti Steinmeier nënvizoi se e ardhmja e Kosovës është në Evropë.
“Prandaj tani është koha për të drejtuar vështrimin përpara për të avancuar reformat e nevojshme me një dinamikë të re dhe për të shtyrë përpara integrimin euro-atlantik të Kosovës. Në këtë proces, rëndësi të madhe kanë respektimi i detyrimeve ndërkombëtare, ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar Steinmeier.
Në përfundim të letrës, presidenti gjerman rikonfirmoi se Gjermania do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës si partnere e besueshme dhe ta mbështesë me vendosmëri në rrugën e saj evropiane.
Ai shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e ardhshëm me presidenten Shiroka Pula, duke i uruar asaj sukses dhe urtësi në ushtrimin e detyrës./Klankosova.tv