Kërcënoi me armë djalin e Donika Kadajt brenda ambientit të punës, Ministria e Ekonomisë: I dyshuari është arrestuar

Kërcënoi me armë djalin e Donika Kadajt brenda ambientit të punës, Ministria e Ekonomisë: I dyshuari është arrestuar

Written by

in

Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë ditës së sotme në ambientet e Ministrisë së Ekonomisë, ku një zyrtar i kësaj ministrie dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri një koleg të tij, i cili është edhe eprori i tij i drejtpërdrejtë.

Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se incidenti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe se zyrtari i dyshuar është arrestuar.

Telegrafi ka kontaktuar ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, djali i së cilës dyshohet se është personi i kërcënuar.

Ajo ka konfirmuar arrestimin e të dyshuarit.

Sipas informacioneve të raportuara, i dyshuari është zyrtari i ministrisë, Sami Shaqiri, ndërsa incidentit dyshohet se i ka paraprirë një mosmarrëveshje lidhur me një komision disiplinor.

Mosmarrëveshja thuhet se kishte nisur pasi djali i Kadaj-Bujupit kishte refuzuar të merrte pjesë në komision, me arsyetimin se ishte epror i Shaqirit.

Fillimisht, Shaqiri dyshohet se i kishte kërkuar përmes postës elektronike plotësimin e një formulari, ndërsa Bujupi i ishte përgjigjur se formularin duhej ta plotësonte vetë dhe më pas t’ia sillte për nënshkrim.

Situata pastaj ka eskaluar kur zyrtari e ka ndjekur Bujupin deri në tualetin e ministrisë, ku dyshohet se e ka kërcënuar me armë.

Në reagimin e saj, Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se zyrtari i dyshuar ishte subjekt i një procedure disiplinore që nga muaji shtator, për çështje që lidhen me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës.

Ministria ka theksuar se zyrtarët dëshmitarë dhe personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente.

“Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm. Kërcënimet me armë zjarri, frikësimi dhe çdo formë e cenimit të shëndetit dhe jetës së njeriut, duhet të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë”, thuhet në reagim.

Tutje, ministria ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet që janë në kompetencën e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për trajtimin institucional të rastit dhe adresimin e përgjegjësive eventuale disiplinore apo administrative.

Në fund, Ministria e Ekonomisë ka theksuar se rasti është duke u hetuar nga organet kompetente të drejtësisë dhe se nuk do të komentojë më tej rrethanat e incidentit deri në pranimin e raportit përkatës./Telegrafi.