
Ministria e Ekonomisë ka dalë me reagim lidhur me sulmin ndaj një zyrtari që ndodhi sot brenda objektit të këtij dikasteri, i cili dyshohet se kërcënoi me armë zjarri një koleg të tij, konkretisht udhëheqësin e departamentit ku punonte.
Sipas ministrisë, ashtu edhe siç u konfirmua, rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, zyrtari i dyshuar është arrestuar, transmeton Klankosova.tv
“Zyrtarët dëshmitarë dhe personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente.”
Në njoftim thuhet se zyrtari i dyshuar është subjekt i një procedure disiplinore që nga muaji shtator për çështje që lidhen me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës.
“Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm. Kërcënimet me armë zjarri, frikësimi dhe çdo formë e cenimit të shëndetit dhe jetës së njeriut, duhet të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë.”
Po ashtu është bërë me dije se do të ndërmerren të gjitha veprimet për trajtimin institucional të rastit, por jo edhe detajet e rrethanave.
“Siguria e punonjësve dhe garantimi i një mjedisi të sigurt dhe profesional të punës mbeten prioritet i Ministrisë së Ekonomisë.
Rasti në lidhje me këtë sulm është duke u hetuar nga organet kompetente të drejtësisë. Deri në pranimin e raportit nga ana e organeve kompetente, Ministria nuk do të komentojë më tej rrethanat e incidentit.”