Tragjedi në Mesdhe: 14 migrantë humbin jetën pranë brigjeve të Kretës

Tragjedi në Mesdhe: 14 migrantë humbin jetën pranë brigjeve të Kretës

Written by

in

Tragjedi në Mesdhe: 14 migrantë humbin jetën pranë brigjeve të Kretës

Të paktën 14 persona kanë humbur jetën pasi një varkë me migrantë u gjet pranë ishullit të Kretës në Greqi, kanë bërë të ditur autoritetet greke.

Trupat e 13 viktimave u nxorën nga varka, e cila u gjet të hënën në mëngjes, rreth 28 kilometra në jug të Kretës. Ndërkohë, 18 persona të tjerë u shpëtuan nga një anije mallrash me flamur maroken, por njëri prej tyre ndërroi jetë më vonë, duke e çuar në 14 numrin e viktimave, shkruan Sky News, transmeton Klankosova.tv.

Autoritetet njoftuan gjithashtu se mbi 180 migrantë të tjerë u zbuluan në tri varka të ndryshme që po udhëtonin nga Libia drejt Kretës. Të gjithë pritet të dërgohen në ishull.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura identitetet e viktimave dhe as rrethanat e plota të tragjedisë.

Greqia mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes në Bashkimin Evropian për migrantët që largohen nga luftërat, varfëria dhe përndjekjet. Kalimi i rrezikshëm nga Libia drejt Kretës është shfrytëzuar nga mijëra persona muajt e fundit.

Sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar rreth 31 mijë e 800 kalime të parregullta në rrugën e Mesdheut Lindor, e cila mbetet rruga më e frekuentuar drejt BE-së. Megjithatë, kjo shifër paraqet rënie prej 15 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, transmeton Klankosova.tv.