Sahatçiu kritikon Ramën e Ismailin për projektin e Ulpianës: Ky është vetëm fillimi i kompromiseve

Sahatçiu kritikon Ramën e Ismailin për projektin e Ulpianës: Ky është vetëm fillimi i kompromiseve

Written by

in

Ish-nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pas votimit të propozimit për shfrytëzimin e hapësirave në lagjen Ulpiana për nevojat e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Sahatçiu e ka kundërshtuar këtë vendim, duke vlerësuar se Prishtina ka hapësira të tjera të betonizuara që mund të përshtaten për nevoja të përkohshme të këtij organizimi.

Sipas saj, prekja e një lagjeje si Ulpiana për një ngjarje që organizohet vetëm një herë është e pafalshme.

“Me gjithë hapësirat e betonizuara që i ka Prishtina, me shku me prek një lagje si Ulpiana për me akomodu një ngjarje që ndodh veç një herë, është e pafalshme. Mijëra m² hapësira të tjera munden me u shfrytëzu e adaptu për një nevojë të përkohshme si Lojërat Mesdhetare 2030”, ka shkruar ajo.

Sahatçiu ka kritikuar edhe arsyetimet që, sipas saj, janë dhënë gjatë seancës për miratimin e propozimit, duke shprehur bindjen se në ditët në vijim mund të publikohen pamje vizuale për të bindur qytetarët se hapësirat e gjelbra do të ruhen apo shtohen.

Ajo e ka ndërlidhur votimin edhe me zhvillimet politike në kryeqytet, duke pretenduar se ky vendim është rezultat i kompromiseve politike dhe i heqjes dorë nga parimet.

“Kështu është kur i shkel parimet për me u kthy prapë në të njëjtin koalicion. Kostoja politike e prishjes së tij për herë të dytë, kësaj radhe për me mbrojtë integritetin urban të një lagjeje si Ulpiana, është tashmë shumë e lartë. Dhe mjerisht ky është veç fillimi i kompromiseve me parimet”, ka deklaruar Sahatçiu./Telegrafi/