Izraeli do të ketë dy mungesa për ndeshjet e fundit të Grupit B3 në Ligën e Kombeve, ku fillimisht do të përballet fillimisht me Kosovën, pastaj edhe me Austrinë.
Në mesin e futbollistëve që nuk do të jenë në dispozicion të përzgjedhësit Ben Shimon është edhe talenti i Barcelonës, Orian Goren.
17-vjeçari është liruar nga grumbullimi për shkak të problemeve me muskujt e barkut, kanë raportuar të hënën mediat izraelite.
Orian Goren, talenti i Barcelonës
Goren ishte pjesë e listës së publikuar nga Ben Shimon për këto dy ndeshje dhe së fundmi kishte qenë në stol te Barcelona në përballjen ndaj Real Madridit në “El Clasico”.
Mungesa e tij është një goditje për Izraelin, që nuk do të mund të llogarisë as në Anan Khalailin, 22-vjeçarin që aktivizohet te Crystal Palace.
Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit do të zhvillohet të shtunën në Prishtinë dhe ka rëndësi të veçantë për renditjen në Grupin B3. Përballja e parë mes këtyre dy përfaqësueseve, e zhvilluar në Hungari, ishte mbyllur pa gola, me rezultatin 0-0.
Anan Khalaili, 22-vjeçari i Crystal Palace
Pas katër ndeshjeve të zhvilluara, Kosova renditet në vendin e dytë me pesë pikë, ndërsa Izraeli ndodhet në pozitën e fundit me vetëm dy pikë. Kjo e bën përballjen në Prishtinë veçanërisht të rëndësishme për të dyja skuadrat, pasi Dardanët synojnë të forcojnë pozitën e tyre në grup, kurse izraelitët kërkojnë të reagojnë në dy ndeshjet e fundit.
Pas duelit me Kosovën, Izraeli do ta zhvillojë edhe ndeshjen e fundit të grupit kundër Austrisë, tri ditë më vonë, ndërsa Kosova e mbyll ndaj Irlandës. /Telegrafi/