
Orhan Fetahu, 50-vjeçari që sot përfundoi në prangat e Policisë në Prizren, është emër i njohur për organet e rendit, pasi ishte arrestuar edhe në një aksion kundër narkotikëve në vitin 2023.
Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Fetahu ishte personi ndaj të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhërarrest aktiv për vuajtjen e dënimit prej pesë vjetësh burgim efektiv, për vepra penale që lidhen me narkotikët.
Arrestimi i tij u realizua sot rreth orës 11:00, pasi Policia kishte pranuar informacione nga njësia e inteligjencës se personi i kërkuar po lëvizte me automjet në territorin e Prizrenit. Pas lokalizimit dhe ndalimit të veturës, zyrtarët policorë kanë verifikuar se drejtuesi ishte Fetahu.
Por, ky nuk është rasti i parë kur ai bie në prangat e Policisë. Më 11 qershor 2023, Fetahu ishte arrestuar në kuadër të operacionit policor “Vera”, bashkë me shtetasin turk Adem Uskuplu, 53-vjeçar.
Në atë aksion, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, kishte realizuar kontrolle në dy lokacione, ku ishin gjetur dhe sekuestruar 10 kilogramë e 414 gramë marihuanë.
Sipas njoftimit të atëhershëm të Policisë, droga dyshohej se ishte destinuar për tregun ndërkombëtar, përkatësisht Turqinë, ndërsa vlera e saj ishte vlerësuar rreth 36 mijë e 500 euro.
Ndërkaq, gjatë kontrollit të sotëm të automjetit me të cilin po udhëtonte Fetahu, Policia ka gjetur edhe rreth shtatë gramë substancë të dyshuar kokainë tek njëri prej dy personave të tjerë që ndodheshin në veturë.
Ky person, së bashku me substancën e sekuestruar, i është dorëzuar Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, ndërsa personi i tretë është liruar pas verifikimeve policore.
Fetahu, ndërkaq, është arrestuar në bazë të urdhërarrestit aktiv për vuajtjen e dënimit të shqiptuar nga gjykata.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali