Franca ka akuzuar Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) se qëndron pas sulmeve kibernetike që muajin e kaluar shkaktuan rritjen e temperaturave në frigoriferët dhe ngrirësit e supermarketeve në mbarë vendin.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, tha se sulmi ishte “i paprecedentë, si për nga përmasat, ashtu edhe për nga niveli i agresivitetit”. Ai shtoi se përgjegjësit do të përballen me sanksione “në nivel evropian”.
Irani ende nuk ka reaguar ndaj akuzave të Barrotit.
Sulmi kibernetik i muajit të kaluar bëri që frigoriferët dhe ngrirësit në qindra supermarkete në Francë të ngrohen, duke shkaktuar prishjen e produkteve të freskëta dhe atyre të ngrira, me vlerë që llogaritet në miliona euro.
Ndërkohë, javën e kaluar, dhjetëra supermarkete në disa vende të tjera evropiane u prekën gjithashtu nga një sulm kibernetik që kishte në shënjestër frigoriferët dhe ngrirësit. Ende nuk dihet nëse këto raste kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Barrot tha se sulmi ndaj supermarketeve franceze “shënon sulmin e parë kibernetik në shkallë të gjerë, me synim sabotimin në territorin tonë kombëtar dhe përbën një goditje të rëndë ndaj interesave të vendit dhe sigurisë së popullit francez”.
Ai bëri të ditur se qeveria franceze e kishte thirrur ambasadorin iranian në Paris për t’i paraqitur një “protestë shumë të ashpër për këtë akt jashtëzakonisht të rëndë”.
Barrot shtoi se Franca do të ndërmarrë “çdo masë tjetër të nevojshme dhe proporcionale” për t’iu përgjigjur incidentit dhe për të penguar përsëritjen e tij, raporton BBC.
Burimi: RTKLive
