Njësia Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim (NjPZSh) në Shtime është pajisur me një komplet modern të pajisjeve elektro-hidraulike me bateri, të dedikuara për ndërhyrje dhe shpëtim në aksidente dhe situata të ndryshme emergjente.
Pajisjet janë siguruar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
Komandanti i NjPZSh-së në Shtime, Bajram Gashi, ka theksuar rëndësinë e këtyre pajisjeve për punën e përditshme të zjarrfikësve, duke vënë në pah se teknologjia e re do të mundësojë ndërhyrje më të shpejta dhe më të sigurta në raste emergjente.
“Kompleti i ri përfshin mjete hidraulike të kombinuara për prerje dhe shpërndarje të metaleve, shufër cilindrike për hapjen dhe shtyrjen e strukturave të dëmtuara, si dhe pajisje për menaxhimin e xhamave dhe mbrojtjen e timonit. Falë teknologjisë moderne me bateri, këto pajisje mundësojnë reagim më të shpejtë dhe më efikas në terren, duke lehtësuar punën e zjarrfikësve dhe duke rritur mundësitë për shpëtimin e jetëve të qytetarëve”, tha Gashi.
Ndryshe, vetëm pak ditë më parë, NjPZSh në Shtime është pajisur edhe me një automjet modern për zjarrfikje, duke vazhduar kështu procesin e avancimit të kapaciteteve dhe pajisjeve për reagim sa më efikas në situata emergjente
Burimi: RTKLive
