Në praninë e Kryetarit të Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, Nënkryetari i Komunës, Berat Gashi, së bashku me Drejtoreshën e Administratës, znj. Ariana Graiqevci, pritën sot në takim kryetarët e rinj të këshillave lokale të fshatrave, të cilët kanë marrë mandatin katërvjeçar.
Me këtë rast, Nënkryetari Gashi i përgëzoi kryetarët e rinj për marrjen e mandatit, duke u uruar suksese në ushtrimin e përgjegjësive të tyre. Ai ritheksoi gatishmërinë e Komunës së Obiliqit për bashkëpunim të vazhdueshëm me këshillat lokale, duke theksuar se kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, të adresuara përmes përfaqësuesve të tyre, do të trajtohen me përkushtim dhe seriozitet, në përputhje me mundësitë dhe kapacitetet buxhetore të Komunës.
Gjithashtu, Kryetari Thaçi vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve komunale dhe këshillave lokale, me qëllim të identifikimit të prioriteteve, realizimit të projekteve dhe ndërmarrjes së iniciativave që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mirëqenies së qytetarëve.
Nga ana e tyre, kryetarët e rinj të këshillave lokale falënderuan përfaqësuesit e Komunës për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke u zotuar se do ta ushtrojnë mandatin e tyre me përgjegjësi, transparencë dhe përkushtim në përfaqësimin e interesave dhe adresimin e kërkesave të qytetarëve.
“Komuna e Obiliqit mbetet e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit me këshillat lokale, duke e konsideruar këtë partneritet si një hallkë të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të fshatrave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, njofton Komuna e Obiliqit.
Burimi: RTKLive
