Shpërthimi në fabrikën e çelikut në Turqi, 17 të vdekur dhe 12 të plagosur – pesë persona arrestohen

Shpërthimi në fabrikën e çelikut në Turqi, 17 të vdekur dhe 12 të plagosur – pesë persona arrestohen

Written by

in

Shpërthimi në fabrikën e çelikut në Turqi, 17 të vdekur dhe 12 të plagosur – pesë persona arrestohen

Ka shkuar në 17 numri i personave që kanë humbur jetën nga shpërthimi në fabrikën e çelikut Habas Demir Celik, në distriktin Aliağa të Izmirit, në Turqinë perëndimore. Ndërkohë, 12 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Të gjithë viktimat dhe të plagosurit ishin punëtorë të fabrikës, e cila është një nga prodhuesit kryesorë të çelikut në Turqi.

Fillimisht, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan kishte njoftuar për 16 viktima, por ministri i Shëndetësisë, Kemal Memişoğlu, bëri të ditur më vonë se një nga të plagosurit rëndë kishte ndërruar jetë në spital, duke e çuar numrin e viktimave në 17.

Sipas guvernatorit të Izmirit, Süleyman Elban, shpërthimi ndodhi rreth mesditës, pasi një vinç që transportonte një kaldajë zëvendësuese u shemb dhe materialet ranë në një furrë poshtë tij.

Kompania që menaxhon fabrikën bëri të ditur se aksidenti ndodhi gjatë punimeve të planifikuara të mirëmbajtjes në njërën prej furrave elektrike të objektit.

Pas shpërthimit, në fabrikë shpërtheu zjarr dhe në ajër u ngrit një re e madhe tymi. Dëshmitarët thanë se fuqia e shpërthimit kishte shkaktuar lëkundje të tokës, aq sa disa fillimisht menduan se bëhej fjalë për tërmet.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar, pasi besohet se disa persona kanë mbetur nën rrënoja.

Sipas BBC News, duke iu referuar raportimeve të mediave lokale, të paktën pesë persona janë arrestuar në lidhje me rastin.

Ngjarja ka rikthyer vëmendjen te siguria në vendet e punës në Turqi, ku aksidentet industriale vazhdojnë të mbeten një problem shqetësues.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali