
Intensifikohen përpjekjet për zbardhjen e fatit të më shumë se 1,500 qytetarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Gjatë këtij viti janë adresuar rreth 20 lokacione me gërmime vlerësuese, ndërsa veprime intensive në terren po zhvillohen mes Kaçanikut dhe Shtërpcës, me plan që deri në fund të vitit të ndërhyhet edhe në tre deri në katër lokacione të tjera me interes të veçantë.
Fokusi kryesor i gërmimeve mbetet te varrezat e qyteteve të mëdha, përfshirë ato në lagjen Arbëria në Prishtinë dhe varrezat e besimtarëve myslimanë në veri të Mitrovicës. Këto hapësira dyshohet se gjatë luftës u përdorën nga forcat serbe për mbulimin e gjurmëve të krimit dhe fshehjen e trupave të viktimave. Kërkimet në këto zona vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha për shkak të mungesës së të dhënave të sakta, veçanërisht atyre që përmbajnë arkivat institucionalë në Serbi.
Procesi i zhvarrimeve ka sjellë rezultate konkrete pas angazhimeve të fundit në Zubin Potok. Nga mbetjet mortore të zhvarrosura në tri lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë janë konfirmuar gjashtë identifikime përmes raporteve të ADN-së. Ekipet mjekoligjore presin përgjigjet e analizave për mostrat e tjera të dërguara në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, me qëllim që rezultatet e reja t’u komunikohen menjëharë familjarëve.
Mes të identifikuarve figurojnë edhe tre emra të njohur të çështjes kombëtare: mjekët Adem Ademi e Fatmir Fazliu, si dhe juristi Ali Haliti. Pas konfirmimit të ADN-së, janë zhvilluar takime me familjarët e tyre për të caktuar detajet dhe datat e rivarrimit.
Aktiviteti i kërkimeve është zgjeruar edhe me rigërmime të reja në veri të Mitrovicës, ku u gjetën dhe u zhvarrosën mbetjet mortore të një personi. Kjo zonë do të mbetet me prioritet të lartë në agjendë, pasi rrethanat e zhdukjes së shumë viktimave – përfshirë grupin e intelektualëve nga Mitrovica, Skenderaj e Vushtrria të rrëmbyer më 19 prill 1999, si dhe anëtarët e familjeve Feka e Isufi – çojnë drejtpërdrejt te lokacionet e këtij brezi kufitar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali