Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, tri raste janë regjistruar në Gjakovë, dy në Prishtinë, ndërsa nga një rast në Fushë-Kosovë, Ferizaj, Rahovec, Vushtrri dhe Zubin-Potok.
Në Gjakovë, një grua ka raportuar se është kërcënuar përmes mesazheve nga djali i saj, i cili ndodhet jashtë vendit. Ajo ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari është shpallur në kërkim të Policisë.
Në një rast tjetër në këtë komunë, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht vëllain e tij. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Po ashtu, në Gjakovë është raportuar edhe për dhunë psikike ndaj një gruaje nga partneri i saj, i cili dyshohet se në vazhdimësi e ka shqetësuar për shkak të xhelozisë. Viktima është kthyer te familja e saj, ndërsa i dyshuari ndodhet në arrati.
Dy raste janë raportuar edhe në Prishtinë. Në njërin prej tyre, një grua ka marrë mesazhe kërcënuese përmes rrjeteve sociale nga ish-bashkëshorti i saj, i cili jeton jashtë vendit. Ajo ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit.
Në rastin tjetër, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij pas një mosmarrëveshjeje. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në Fushë-Kosovë është raportuar për dhunë psikike ndaj një burri nga djali i tij, rast për të cilin Policia ka nisur hetimet në procedurë të rregullt.
Në Ferizaj, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga partneri me të cilin bashkëjetonte. I dyshuari nuk është gjetur nga Policia dhe ndodhet në arrati.
Një tjetër arrestim është realizuar në Rahovec, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e tij. Të dy palët kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Vushtrri, një grua ka raportuar se është sulmuar nga bashkëshorti i saj. Gjatë rastit, Policia ka sekuestruar edhe dy pistoleta, një pushkë ajrore dhe shtatë fishekë. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Zubin-Potok, një grua është fyer dhe kërcënuar përmes rrjeteve sociale nga ish-bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Burimi: RTKLive
