
Ka dështuar mbajtja e seancës së sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Adnon Jasharit, të akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit, pasi mbrojtja deklaroi se nuk ishte pajisur me shkresat e lëndës, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë seancës, mbrojtja dorëzoi autorizimin për përfaqësim, duke bërë të ditur se nuk e kishte në dispozicion dosjen e rastit.
Prokuroria, ndërkaq, deklaroi se shkresat ia kishte dorëzuar avokates së caktuar sipas detyrës zyrtare.
Kështu, seanca e paraparë për sot përfundoi pa u zhvilluar shqyrtimi i çështjes.
Jashari vazhdon të jetë në arrati, ndërsa seanca ishte caktuar të zhvillohej në mungesë të tij. Policia e Kosovës ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Diana Kastrati, 27-vjeçare dhe nënë e një vajze, u vra me armë zjarri më 18 maj 2011 në Prishtinë. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj Jasharit më 22 tetor 2026, për vrasjen dhe armëmbajtjen pa leje.
Vetëm 22 ditë para vrasjes, më 26 prill 2011, Diana kishte kërkuar urdhër për mbrojtje emergjente nga Gjykata Komunale në Prishtinë, për shkak të kërcënimeve ndaj saj dhe vajzës. Kërkesa kishte mbetur pa përgjigje.
Pas kërkesës së prindërve të saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati, Gjykata Kushtetuese konstatoi në vitin 2013 se mosveprimi i gjykatës për mbrojtjen e Dianës kishte shkelur të drejtën e saj për jetë.
Shënim: I akuzuari konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali