Delegacioni ukrainas ka nisur ditën e bisedimeve në Abu Dhabi me një takim me përfaqësuesit evropianë, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Lajmin e ka bërë të ditur Rustem Umerov, kreu i delegacionit të Kievit.
Në këtë takim morën pjesë edhe të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, së bashku me përfaqësues nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, si dhe zyrtarë të NATO-s dhe Komisionit Evropian, transmeton Telegrafi.
Takimi shërben si një mundësi për koordinimin e qëndrimeve mes Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, përpara zhvillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta me palën ruse.
Sipas Umerovit, pas takimit me përfaqësuesit evropianë pritet të zhvillohet edhe takimi trepalësh, ku do të marrin pjesë delegacionet e Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Ai bëri të ditur se Kievi ka përcaktuar disa prioritete kryesore për këto diskutime. Ato përfshijnë përfundimin e armiqësive, sigurimin e garancive të besueshme të sigurisë për periudhën pas luftës, si dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Një tjetër çështje me rëndësi për delegacionin ukrainas është avancimi i përpjekjeve humanitare, të cilat synojnë të adresojnë pasojat e luftës dhe nevojat e popullsisë së prekur nga konflikti. /Telegrafi/