
Vizita e përfaqësuesve të Listës Studentore të Serbisë në Kosovë ka nxitur diskutime në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Nënkryetari i këtij komisioni, Fadil Hadërgjonaj, ka ngritur shqetësimin për vizitën e zhvilluar një ditë më parë, duke thënë se nuk ka informacione zyrtare nëse ajo është autorizuar nga institucionet përkatëse.
Ai ka kërkuar sqarime lidhur me procedurat e ndjekura dhe mekanizmat përgjegjës për monitorimin e vizitave të tilla.
“Dje ishte caktuar vizita e Listës Studentore serbe dhe mesazheve që i kanë dhënë. Nuk kemi ndonjë informacion, as ndonjë njoftim zyrtar nga institucionet përkatëse se a kanë pasur leje, a i kanë ardhur nga ministria përkatëse, a është i pavarur, a i ka mekanizmat e vet për monitorimin dhe kontrollimin e këtyre vizitave”, ka deklaruar Hadërgjonaj.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, ka thënë se pret që Ministria e Punëve të Brendshme ose ajo e Punëve të Jashtme të japë sqarime.
“Besoj që edhe ministri i Brendshëm apo edhe ministri i Jashtëm do të dalë me një reagim apo me ndonjë informacion rreth saj. Edhe pse këta nuk përbëjnë politikën zyrtare derisa ta marrin pushtetin, ende mund të quhen që nuk janë futur në pushtet”, ka thënë Bajqinovci.
Këto diskutime janë zhvilluar gjatë mbledhjes së Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku në rend dite ishte edhe procesi i përzgjedhjes së komisionerit të ri të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Komisioni ka shpallur konkursin për këtë pozitë, ndërsa në Kuvendin e Kosovës janë paraparë aktivitete në kuadër të procedurës së përzgjedhjes.
Agjencia për Informim dhe Privatësi është përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të së drejtës për qasje në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Detajet për afatet dhe procedurat e aplikimit pritet të publikohen përmes njoftimeve zyrtare të Kuvendit.
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes ka nisur procedurat për përzgjedhjen e komisionerit të ri të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).
Në mbledhjen e sotme, kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, njoftoi se grupi punues do të nisë punën për përgatitjen e konkursit, përfshirë hartimin e kritereve për kandidatët që synojnë këtë pozitë.
Gjatë diskutimeve u bë e ditur se komisioneres së deritanishme të Agjencisë për Informim dhe Privatësi i ka përfunduar mandati më 18 qershor 2026.
Procesi i përzgjedhjes së komisionerit të ri do të zhvillohet në kuadër të procedurave parlamentare, ndërsa kriteret dhe hollësitë e konkursit pritet të përcaktohen nga grupi punues.
Agjencia për Informim dhe Privatësi është institucion i pavarur, përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumente publike në Kosovë. /Ksp