
Instituti Demokratik i Kosovës ka shprehur shqetësim për mosraportimin e vazhdueshëm të Autoritetit të Konkurrencës para Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion.
Sipas KDI-së, kjo situatë po cenon mbikëqyrjen parlamentare dhe llogaridhënien e institucioneve publike, veçanërisht në një kohë kur ka raportime për mosfunksionimin e organit kolegjial të Autoritetit të Konkurrencës që nga prilli i vitit 2025, transmeton Klankosova.tv.
KDI bën të ditur se çështja u ngrit në mbledhjen e Komisionit më 20 tetor, kur raportimi i kryetares së Autoritetit, Neime Binaku-Isufi, u caktua për 27 tetor. Megjithatë, ajo njoftoi se nuk mund të merrte pjesë dhe raportimi u shty.
As mbledhja e 3 nëntorit nuk u mbajt, për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë.
Ndërkaq, në mbledhjen e 10 nëntorit, në Komision u paraqitën dy anëtare të Autoritetit të Konkurrencës, por jo edhe kryetarja. Deputetët e VV-së propozuan largimin ose shtyrjen e kësaj pike nga rendi i ditës, por propozimi nuk u mbështet nga opozita.
KDI vlerëson se mosparaqitja e kryetares dhe veprimet e deputetëve për të pamundësuar raportimin e institucioneve publike cenojnë seriozisht llogaridhënien.
“Deputetët janë aty për të kërkuar dhe garantuar llogaridhënie për të gjitha cështjet që prekin interesin publik. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 65, paragrafin 9, përcakton se Kuvendi mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike që, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit”.
KDI u bën thirrje deputetëve të Kuvendit që të përmbushin përgjegjësitë e tyre institucionale, dhe të mos lejojnë që interesat politike të pengojnë mbikëqyrjen.
Njëkohësisht, kërkon që Komisioni për Ekonomi ta rikthejë sa më parë në rend dite raportimin e Autoritetit të Konkurrencës dhe të sigurojë trajtimin e çështjeve të ngritura.