
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë të mërkurën, më 11 nëntor 2026, një seancë të jashtëzakonshme plenare, ku do të diskutohet Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, raporton Gazeta Sinjali.
Seanca është paraparë të nisë në orën 13:00, ndërsa në rendin e ditës është vetëm një pikë: debati parlamentar lidhur me gjetjet dhe vlerësimet e Komisionit Evropian për Kosovën.
Raporti i publikuar më 4 nëntor trajton përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke përfshirë funksionimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe zhvillimin ekonomik.
Në raport janë ngritur shqetësime edhe për sigurinë e gazetarëve dhe klimën në të cilën ushtrohet veprimtaria e mediave.
Debati i së mërkurës pritet t’u japë mundësi deputetëve të diskutojnë për gjetjet e raportit, sfidat e identifikuara dhe masat që duhet të ndërmerren nga institucionet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali