
Një 24-vjeçar shqiptar ka vënë disa herë jetën në rrezik ekstrem mbrëmjen e së dielës në Gjermani, duke udhëtuar i ngjitur ndërmjet dy vagonëve të trenit të shpejtë Intercity-Express (ICE) në linjën Berlin-Potsdam.
Sipas mediave gjermane, i riu u detyrua të zbriste në stacionin e Potsdamit rreth orës 22:00, pasi gjatë kontrollit nuk paraqiti dot as biletë udhëtimi dhe as dokumente identifikimi. Megjithatë, sapo treni nisi të largohej nga stacioni, ai u ngjit sërish fshehurazi në hapësirën e jashtme mes vagonëve, duke vazhduar udhëtimin në kushte tejet vdekjeprurëse.
Rreth një orë më vonë, në stacionin kryesor të Magdeburgut, në orën 22:58, personeli i trenit e ka vërejtur të riun duke dalë nga hapësira ndërmjet vagonëve. Më pas, ai ka kaluar përmes platformës dhe ka hyrë në zonën e shinave hekurudhore.
Pas njoftimit, pjesëtarët e Policisë Federale gjermane e kanë lokalizuar dhe e kanë shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme. Gjatë marrjes në pyetje, i riu ka pranuar se kishte udhëtuar ndërmjet vagonëve të trenit ICE, transmeton albinfo.ch.
Ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal për shmangie të pagesës së udhëtimit, si dhe për shkelje të tjera të mundshme të Kodit Penal dhe rregulloreve për ndërtimin dhe funksionimin e hekurudhave.
Burimi: Insajderi