Dhurata më e madhe e Stevie Wonderit për botën

Dhurata më e madhe e Stevie Wonderit për botën

Written by

in

Nga: Kevin Powell, shkrimtar dhe aktivist amerikan / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Ajo që i duhet botës tani është Stevie Wonderi. Kjo do të thotë edhe Amerikës. Nuk e them për të qenë tepër sentimental, as për t’i ekzagjeruar dëshmitë. Thjesht po e citoj nënën time të lindur e të rritur në Karolinën e Jugut rurale: “Bota vërtet duket sikur është në xhiron e saj të fundit.”

Nëna ime nuk gënjen dhe Stevie është vërtet një mrekulli. Po, ai është një nga këngëtarët, kantautorët, muzikantët, producentët dhe artistët më të mëdhenj të çfarëdo lloji që kemi përjetuar ndonjëherë, ndërsa në moshën 76-vjeçare ende po jep gjithçka nga vetja me një turne që po ndodhë pikërisht tani. Dhe, po, ai është, pa dyshim, gjeni i përmasave epike. Pak krijues mund të thonë se kanë bërë art ikonoklastik përgjatë shtatë dekadave – nga vitet ’60 të shekullit XX, kur ai ishte ende pranë adoleshencës dhe kishte nënshkruar me shtëpinë legjendare diskografike Motown Records, e deri më sot me muzikën e re që pritet në vitin 2027.

Për ta vendosur këtë në kontekst, Stevie u bë për herë të parë mega-yll kur president ishte John F. Kennedy, dhe ja ku është tani në epokën e presidentit Donald J. Trump dhe MAGA-s. Ai ka qenë këtu me ne gjatë Lëvizjes për të Drejtat Civile, lindjes së Kampionatit të Ragbit [Super Bowl] dhe Apple-it dhe çdo gjëje tjetër – pandemive të AIDS-it, drogës dhe fentanilit, presidentit të parë me ngjyrë të Amerikës, COVID-it, të shtënave masive pa fund dhe shpërthimit atomik të skenave dhe kulturave të reja si panku, diskoja, granxhi, hip-hopi, televizionet e realitetit dhe TikTok-u. Stevie ka qenë dëshmitar i luftërave nga Vietnami deri në Iran dhe ka qenë nën të njëjtën shtëpi diskografike me Eddie Kendricksin e [grupit] The Temptations, ndërsa është adhurues i madh i atij që mban një emër të ngjashëm me Eddien, Kendrick Lamarin.

Kjo është arsyeja pse ky vit i 50-vjetorit të albumit të dyfishtë kryevepër të Steviet, Songs in the Key of Life [Këngë në tonalitetin e jetës], ka rëndësi për shumë njerëz, përfshirë edhe mua. Sepse, nuk ka asgjë tjetër si ai dhe, do të debatoja me këdo, është albumi më i madh i bërë ndonjëherë, më i madh se çdo album i vetëm i bërë nga The Beatles, Aretha Franklin, Marvin Gaye, Joni Mitchell, The Beach Boys, Carole King, Beyoncé, Taylor Swift, Bruce Springsteen, Whitney Houston, Bruno Mars apo The Rolling Stones.

Lexo po ashtu nga Kevin Powell:
– Letër për dy mbesat e mia me rastin e 250-vjetorit të Amerikës
– Pse Miles Davisi ende ka rëndësi

Sepse, Songs in the Key of Life nuk është thjesht një disk, por një përvojë gjithëpërfshirëse – si të themi, është kinema Dolby në një kinema AMC. Nuk mundesh thjesht t’i dëgjosh 21 këngët e tij. Duhet të rrish me këto pjesë dhe të futesh brenda tyre. Çuditërisht, këtë e ndjeva si fëmijë në shkollën fillore, kur një mësues na i prezantoi neve fëmijëve dy këngët më të njohura të albumit, Sir Duke dhe I Wish.

Kur isha i ri, nuk e kisha idenë se kush ishte “Sir Duke” (Duke Ellington), dhe as nuk e kuptova deri shumë vite më vonë se Stevie po na edukonte për muzikologjinë, përpara këngëtarit Prince, mbi një ritëm fankadelik të përshkuar nga xhazi. Po ashtu nuk e kuptova se “I Wish” ishte saga e çdo djali të getos, po aq e fuqishme nga ana e tingullit, – në pak më shumë se katër minuta, – sa Autobiografia e Malcolm X-it [The Autobiography of Malcolm X] ose Nëpër këto rrugë të vrazhda [Down These Mean Streets] e Piri Thomasit në ngritjet dhe rëniet e saj teatrale.

Por, këtë e bën arti i madh. Ai i flet kohës së vet dhe u flet kohëve që do të vijnë. Amerika mbushi 200 vjet më 4 korrik 1976, gati tre muaj para se Songs të dilte në qarkullim. Po rimëkëmbeshim nga dy çmenduritë e Vietnamit dhe skandali Uatergejt [Watergate] i presidentit Richard M. Nixon; dhe, nuk kishin kaluar ende as dhjetë vjet nga vrasjet politike të të pastorit Dr. Martin Luther King, Jr. dhe të Bobby Kennedyt në vitin 1968. Amerika ndodhej në një udhëkryq të shëmtuar dhe tronditës, ndërsa disa veçse u kundërviheshin në mënyrë të vrazhdë përfitimeve demokratike që erdhën si rezultat i protestave të panumërta të lëvizjeve shoqërore.

Stevie i pa dhe i ndjeu të gjitha. Prandaj, besoj se, për arsye si personale, ashtu edhe shoqërore, iu deshën të paktën dy vjet për ta përfunduar Songs in the Key of Life. Duhet të kujtojmë se Stevie ishte vetëm 26 vjeç kur ky album me disa disqe u publikua. Siç do të më thoshte Dave Chappelle në vitet 2000 për [programin e tij televiziv] Chappelle’s Show, Stevie ishte i përcaktuar të krijonte diçka që të zbulonte gjithçka me të cilën përballej si burrë me ngjyrë në Amerikë – sipas kushteve të veta dhe me imagjinatën e tij të çliruar.

Ka një liri në këtë që nuk mund të kuptohet nëse nuk e di se çfarë do të thotë të jesh me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara – që nga fillimi në vitin 1619 e deri më sot. Është kërkim në dukje i përjetshëm për atë fjalë, për liri – nga skllavëria dhe segregacioni te Rosa Parks dhe George Floyd – për të drejtën thjesht për të qenë, pa e dëmtuar shpirtin, trupin apo mendjen. Dhe, mund të pohohet, me të drejtë, se asnjë grup tjetër në këtë tokë nuk ka luftuar për liri, drejtësi, barazi dhe demokraci të vërtetë aq gjatë dhe me aq këmbëngulje sa njerëzit me ngjyrë. As nuk është përpjekur ta lartësojë shpirtërisht Amerikën, herë pas here me butësi, ashtu siç ka bërë popullsia e saj me ngjyrë.

Lexo po ashtu:
– Dita e Martin Luther Kingut: Kënga që ndryshoi Amerikën
– Instrumenti bizar që u popullarizua nga Stevie Wonder

Prandaj, e kuptoj shumë mirë pse Stevie e nis Songs in the Key of Life me [këngën] Love’s In Need of Love Today [Dashuria sot ka nevojë për dashuri]. Sepse, përveç ndoshta Bob Marleyt, asnjë muzikant tjetër me famë botërore nuk ka folur për dashurinë aq shumë sa Stevie Wonder. Songs është një letër e hapur dashurie për ne, racën njerëzore, dhe Songs është një model se si bëhet një album me admirues kaq të ndryshëm si Elton John, Michael Jackson, Lauryn Hill, Meshell Ndegeocello dhe George Michael. Sepse, është projekt me një larmi mahnitëse tekstesh dhe stilesh që sfidojnë zhanret, me një mjeshtëri muzikore që të lë pa frymë dhe të bën të tundësh kokën, me atë lloj elegance poetike dhe vëzhgimesh të gjalla që do t’i gjenim në veprat e mbledhura të një William Shakespearei ose të një Sonia Sanchezi.

Por, është gjithashtu model se si duhet të jemi, si amerikanë, si fëmijë të kësaj Toke. Njihe dhe duaje veten. Njihi dhe duaji ata që nuk janë si ti. Mos i largo kurrë njerëzit, historitë e tyre, identitetet e tyre apo kontributet e tyre. Pranoje vuajtjen e njerëzve dhe ndihmoji ata që vuajnë. Nderoji fëmijët tanë. Nderoji të moshuarit tanë. Dhe, siç na u përgjërua Dr. King në fund të jetës së tij, mos i braktisni njerëzit e varfër të asnjë race. Gjithçka është aty në Songs in the Key of Life – një eksplorim madhështor muzikor i dëshirës së zjarrtë të Dr. Kingut për bashkësinë e dashur.

Nuk e dija se sa shumë rëndësi kishte komuniteti për Stevien derisa një ditë, gati dy vjet më parë, mora një mesazh privat në X nga një grua që më tha se burri i saj kishte lexuar një nga librat e mi dhe dëshironte të fliste me mua. Kohët e fundit më kishin hakuar në disa platforma të mediave sociale, ndaj hezitova të përgjigjesha dhe, kur e bëra, isha mjaft nervoz. Por, kontakti ishte i vërtetë; ishte gruaja e Steviet, Tomeeka. Isha krejtësisht dhe jashtëzakonisht i tronditur. Stevie Wonder donte të fliste me mua, me djaloshin që e kishte adhuruar muzikën e tij deri në moshë madhore? Kjo nuk mund të ishte e vërtetë. E megjithatë ishte.

Isha me pushime jashtë vendit me gruan time, por ajo telefonatë e parë me Stevien përfundoi duke zgjatur tri orë. Ishte si të dëgjoje një dishepull të drejtpërdrejtë të hyjnores. Vazhdoja ta pyesja Stevien si duhej ta thërrisja. A duhej t’i thosha z. Wonder, z. Stevie – nga mirënjohja dhe respekti? Përgjigjja e tij çdo herë ishte: “Mund të më quash mik; mund të më quash Stevie.”

Dhe, kështu u bë. Në atë telefonatë të parë, Stevie nuk e dinte se Songs in the Key of Life ma kishte shpëtuar jetën përmes zemrave të thyera, kockave të thyera dhe të nesërmeve të thyera. Stevie nuk e dinte se ai album i veçantë më ka bërë të qesh, të qaj, të vallëzoj, të bërtas; se më ka shpëtuar, disa herë, nga depresioni dërrmues, nga pikëllimi i tmerrshëm, nga trishtimi tronditës. Se kam jetuar me Songs përmes martesës dhe divorcit, dhe martesës përsëri; si dhe përmes ngritjeve mahnitëse dhe rënieve shkatërruese. Se e kam kërkuar urtësinë e pashtershme te Songs in the Key of Life, ashtu siç dikush mund të kërkojë ngushëllim në Bibël, në Torah ose në Kuran. Se ky njeri, Stevie Wonder, i cili ishte një nga zërat dhe udhëheqësit kryesorë që ndihmuan që ditëlindja e Dr. Kingut të bëhej festë zyrtare amerikane, ishte në telefon me një poet tjetër, një artist tjetër, i cili do të shkonte të mbante ligjërata në kremtime të panumërta të Dr. Kingut – në pjesë të ndryshme të Amerikës, si dhe jashtë saj, në Japoni – për shkak të dashurisë së tij të pashuar për MLK-në.

Dhe, se, për mua, gjithçka filloi si fëmijë, me një mësues largpamës që na vuri disa këngë nga Songs in the Key of Life – dhurata më e madhe dhe më jetëgjatë e Stevie Wonderit për të gjithë ne. /Telegrafi/