Kryeministri Kurti takoi personalitetet kyçe në organizimin e LO ‘Paris 2024’, këshillohet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

Kryeministri Kurti takoi personalitetet kyçe në organizimin e LO ‘Paris 2024’, këshillohet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

Written by

in

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorin francez për Sportin, Damien Combredet-Blassel, ambasadorin e Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, si dhe personalitete kyçe në organizimin e Lojërave Olimpike Paris 2024, përfaqësues të France Sport Expertise.

Në takim u diskutua për aspektet përgatitore, nga bashkërendimi institucional deri tek infrastruktura e nevojshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Morëm këshilla për veprimet dhe vendimet që duhet t’i kemi prioritet, përfshirë qeverisjen dhe menaxhimin, planifikimin e prokurimit dhe zbatimin. Caktimi i afateve dhe ndarja e përgjegjësive, sikurse kostot dhe burimet e financimit, duhet të jenë të qartësuara për rrugën përpara”, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti shtoi se me marrëveshjen e kredisë me AFD-në për investime infrastrukturore në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare dhe Deklaratës së Synimit për themelimin e Komitetit të përbashkët për këto lojëra, të nënshkruara në fund të muajit korrik, Franca është partnere e rëndësishme për organizimin e “Prishtina 2030”.