
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin tetor 2026, sipas të cilave inflacioni vjetor ka arritur në 7.1 për qind.
Sipas ASK-së, krahasuar me muajin shtator 2026, niveli i përgjithshëm i çmimeve nuk ka shënuar ndryshim, me inflacion mujor prej 0.0 për qind.
Megjithatë, krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, çmimet kanë shënuar rritje të konsiderueshme, e ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i transportit, energjisë dhe produkteve të tjera.
Rritja më e madhe vjetore e çmimeve është regjistruar te transporti me 21.5 për qind, pasuar nga grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 9.7 për qind, transmeton Klankosova.tv.
Rritje janë shënuar edhe te pijet alkoolike dhe duhani me 5.0 për qind, restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 4.5 për qind, si dhe ushqimi dhe pijet joalkoolike me 3.2 për qind.
Ndërkaq, në baza mujore, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar te grupi i strehimit, ujit dhe energjisë elektrike me 1.7 për qind, ndërsa ushqimi dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për 1.1 për qind.
Në anën tjetër, rënia më e madhe mujore e çmimeve është regjistruar te transporti me 2.2 për qind dhe rekreacioni, sporti e kultura me 1.4 për qind.