
Nënkryetarja e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka akuzuar Ministrinë e Financave që udhëhiqet nga Hekuran Murati se po e bllokon projektin 74 milionësh për pastrimin e kryeqytetit nga mbeturinat.
Në një konferencë për media, ajo ka shpalosur kronologjinë e projektit për modernizimin e sistemit të mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet, duke deklaruar se projekti po mbetet pa u realizuar për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjes nga Ministria e Financave.
Musmurati ka thënë se kapacitetet aktuale të Kompanisë Rajonale të Pastrimit janë tejet të dëmtuara, ndërsa ka theksuar se projekti i financuar përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfË) parasheh blerjen e 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve dhe investime të tjera infrastrukturore për përmirësimin e shërbimeve të pastrimit.
Ajo ka bërë të ditur se projekti ka nisur para më shumë se tri vitesh dhe se, sipas saj, pavarësisht negociatave, marrëveshjeve dhe vendimeve institucionale, Ministria e Financave ende nuk e ka përfunduar procesin e nënshkrimit të kredisë.
“Për me qenë korrekt, për të treguar gjendjen reale në raport me Bankën Gjermane për Zhvillim, unë do të paraqes të gjitha faktet për këtë projekt që po dështon për shkak se Ministria e Financave nuk po e nënshkruan. Prandaj kërkoj edhe mirëkuptimin tuaj për prezantimin e dokumenteve dhe fakteve që nga viti 2023 e deri më sot. Këtu, siç po e shihni, ne kemi një kronologji të datave me takime, negociata, vendime të qeverisë dhe dakordime mes të gjitha palëve për të filluar me implementimin e projektit. Po duhet nisur prej fillimit, sepse është me rëndësi që qytetarët ta kuptojnë se ky projekt nuk ka filluar dje”, ka thënë ajo.
Gjatë prezantimit, Musmurati ka shpjeguar se projekti është ndarë në dy faza, ku sipas saj, e para parasheh një grant prej 4.1 milionë eurosh nga Qeveria gjermane dhe një kredi të butë prej 20 milionë eurosh, ndërsa faza e dytë përfshin investime prej 50 milionë eurosh.
Ajo ka prezantuar edhe marrëveshjen e parë të arritur në tetor të vitit 2023, e cila, sipas saj, ishte nënshkruar nga kryetarët e komunave të rajonit të Prishtinës, ministrat përkatës, Kompania e Pastrimit dhe Banka Gjermane për Zhvillim.
Musmurati ka sqaruar edhe kushtet financiare të kredisë së butë prej 20 milionë eurosh, duke theksuar se ajo kishte maturitet prej 38 vjetësh, periudhë grejs prej gjashtë vjetësh dhe normë interesi prej 0.75 për qind.
Sipas kronologjisë së prezantuar nga nënkryetarja e Prishtinës, më 30 prill 2024 kanë nisur negociatat zyrtare bilaterale ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë gjermane. Në këto negociata, sipas saj, ishte përfshirë edhe projekti për pastrimin e Prishtinës.
Ajo ka bërë të ditur se më 10 shtator 2024, Ministria e Financave ishte njoftuar për miratimin e projektit nga Qeveria gjermane, në vlerë prej 24.1 milionë eurosh për fazën e parë dhe 50 milionë eurosh për fazën e dytë. Ndërkaq, më 26 shtator 2024, Qeveria gjermane i kishte dërguar Qeverisë së Kosovës draft-marrëveshjet për grantin dhe kredinë e butë.
“Pra, që nga shtatori 2024, Hekuran Murati e ka pasur në tavolinë nënshkrimin e kredisë për implementimin e këtij projekti për pastrimin e Prishtinës“, është shprehur ajo.
Një nga dokumentet që Musmurati e ka veçuar gjatë konferencës është vendimi i Qeverisë së Kosovës i datës 18 dhjetor 2024, përmes të cilit ishte miratuar nisma për marrëveshjen e kredisë me KfË-në dhe Kompaninë e Pastrimit.
“Vendimi mban numrin 17 për 238 dhe është nënshkruar nga vetë kryeministri Albin Kurti. Pra, e shihni këtu, është vendim i qeverisë. Çka është tepër me rëndësi nga ky vendim, është që vetë Albin Kurti e obligon Hekuran Muratin të bëjë implementimin e këtij projekti“, ka thënë ajo.
Sipas saj, pavarësisht këtij vendimi dhe dokumentacionit të përgatitur, marrëveshja nuk është nënshkruar nga Ministria e Financave.