
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq, bëri thirrje për koordinim më të fortë ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe për përmirësime konkrete në përgjigjet rajonale ndaj kërcënimeve të përbashkëta.
Kështu u shpreh ai gjatë hapjes së Konferencës së 11-të Vjetore për Koordinimin Rajonal të Sigurisë, që u mbajt sot në Tiranë.
“Deri në konferencën e ardhshme JUMBO, duhet të jemi në gjendje të tregojmë përmirësime konkrete: një procedurë që funksionon më mirë, një kontakt që mundëson një përgjigje në kohë, apo një mangësi në gatishmëri që është adresuar. Qytetarët tanë duhet të mund të përfitojnë nga bashkëpunimi për të cilin diskutojmë këtu”, tha Kapetanoviq.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, Kapetanoviq theksoi se rrjetet kriminale po veprojnë gjithnjë e më shumë në disa juridiksione, duke e bërë thelbësore shkëmbimin në kohë të informacionit, hetimet e koordinuara dhe bashkëpunimin më të fortë institucional.
Ai theksoi gjithashtu se bashkëpunimi i vazhdueshëm profesional mund të forcojë besimin dhe stabilitetin në të gjithë rajonin, edhe kur marrëdhëniet politike janë të vështira.
Konferenca dyditore, e organizuar nën temën “Siguria Rajonale: Rreziqe të Reja, Bashkëpunim më i Fortë”, mbledh më shumë se 150 zyrtarë të lartë, profesionistë dhe ekspertë të sigurisë, përfaqësues të institucioneve dhe agjencive të Bashkimit Evropian, organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, botës akademike dhe shoqërisë civile.