Nuk është thjesht uri! Pse trupi ju kërkon ushqim pikërisht para gjumit?

Nuk është thjesht uri! Pse trupi ju kërkon ushqim pikërisht para gjumit?

Written by

in

Nuk është thjesht uri! Pse trupi ju kërkon ushqim pikërisht para gjumit?

Ke ngrënë darkë, ndihesh i ngopur dhe mendon se nuk do të konsumosh më asgjë deri në mëngjes. Por vetëm gjysmë ore më vonë e gjen veten duke kërkuar diçka për të ngrënë në dollapin e kuzhinës. Një situatë e tillë është më e zakonshme nga sa mund të mendohet.

Sipas studimeve, rreth një e treta e njerëzve konsumojnë “snacks” çdo mbrëmje pas darkës. Për grupmoshën 18-24 vjeç, kjo shifër është edhe më e lartë, katër në pesë persona e kanë të vështirë t’i rezistojnë tundimit për të ngrënë diçka para gjumit.

Dietologia Dr. Kristine Beaulieu paralajmëron se ky zakon mund të ketë pasoja për shëndetin. Sipas saj, studimet tregojnë se sa më shumë ushqim të konsumohet gjatë dy orëve para gjumit, aq më të mëdha janë gjasat për shtim në peshë dhe obezitet.

Pse uria shtohet në mbrëmje?

Edhe pse gjatë gjumit kalojmë më shumë orë pa konsumuar ushqim, studimet tregojnë se oreksi ynë arrin natyrshëm kulmin në mbrëmje, pothuajse pavarësisht sasisë së ushqimit që kemi konsumuar gjatë ditës.

Profesori James Betts, studiues në Universitetin e Bath-it, shpjegon se një nga faktorët kryesorë është grelina, e njohur si “hormoni i urisë”, nivelet e së cilës priren të jenë më të larta në orët e vona.

“Edhe pse nivelet e tij priren të ulen pas vakteve, kjo ndodh kryesisht pas vaktit të parë të ditës dhe jo pas drekës apo darkës”, shpjegon ai.

Megjithatë, rëndësi ka edhe lloji i ushqimit që konsumojmë. Vaktet e pasura me proteina, fibra dhe me volum të mjaftueshëm na mbajnë të ngopur për më gjatë. Sipas Betts, nëse darka nuk është mjaftueshëm ushqyese ose nuk të ngop, më vonë mund të përjetosh një rënie të energjisë dhe të ndjesisë së ngopjes, duke kërkuar sërish ushqim.

Për disa persona, një tjetër arsye është frika se mos zgjohen të uritur gjatë natës, ndërsa për të tjerë gjithçka lidhet me zakonet e përditshme.

Profesoresha Suzanne Higgs, eksperte e oreksit në Universitetin e Birminghamit, shpjegon se përsëritja e të njëjtit veprim në të njëjtin ambient mund të nxisë dëshirën për të ngrënë. Për shembull, nëse dikush është mësuar të konsumojë ushqime të lehta ndërsa shikon televizor, mjafton të ndezë televizorin që t’i lindë dëshira për të ngrënë.

Burimi: Insajderi