Filmi “Nëntori i Ftohtë”, me regji të Ismet Sijarinës, është shfaqur në Ambasadën e Kosovës në Pragë, në një aktivitet që ka bërë bashkë studentë dhe të rinj nga vende të ndryshme të botës.
Filmi, i bazuar në ngjarje të vërteta nga fillimi i viteve ’90, sjell në ekran një periudhë të rëndësishme të historisë së Kosovës, e cila shënoi një kthesë në zhvillimet politike dhe shoqërore të vendit.
Në shfaqje morën pjesë të rinj nga Kosova, Shqipëria, Çekia, Brazili, India, Kazakistani, Pakistani, Armenia, Kolumbia dhe Siria, shkruan Telegrafi.
Përmes këtij aktiviteti, historia dhe kultura e Kosovës u prezantuan para një audience ndërkombëtare, duke krijuar mundësi për shkëmbim kulturor dhe njohje më të afërt me të kaluarën e vendit.
Ambasada e Kosovës në Pragë ka vlerësuar rëndësinë e diplomacisë kulturore, duke theksuar se arti dhe historia shërbejnë si ura komunikimi dhe mirëkuptimi mes popujve.
Për organizimin e aktivitetit është falënderuar edhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë, e cila ishte bashkorganizatore e ngjarjes./Telegrafi/