Studentët dhe sindikatat dalin në protesta në Bruksel, 21 persona ndalohen

Studentët dhe sindikatat dalin në protesta në Bruksel, 21 persona ndalohen

Written by

in

Një grup protestuesish u përlesh me policinë të premten në Bruksel, ku mijëra anëtarë të sindikatave dhe studentë dolën në rrugë në kuadër të një greve kombëtare kundër masave të qeverisë për shkurtimin e buxhetit.

Disa dhjetëra protestues të maskuar dhe të veshur me të zeza hodhën gurë dhe sende të tjera në drejtim të policisë, ndërsa në rrugë dëgjoheshin slogane kundër policisë dhe muret përreth ishin mbuluar me grafite të tilla, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Sipas dëshmitarëve të Reuters, zjarrfikësit shuan disa zjarre, përfshirë zjarre në autobusë, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës.

Përleshjet ndodhën teksa mijëra protestues marshuan në kryeqytetin belg, mes tyre edhe studentë të frymëzuar pjesërisht nga demonstratat në Francën fqinje. Greva shkaktoi ndërprerje në transportin publik dhe në udhëtimet ajrore, ndërsa u prekën edhe shumë shkolla dhe institucione të kujdesit për fëmijët.

Disa nga protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet: “E lashë orën mësimore për të mbrojtur arsimin” dhe “Arsimi është e drejtë, jo privilegj”.

Policia bëri të ditur se marshimi, në të cilin morën pjesë rreth 30 mijë persona, u zhvillua në mënyrë paqësore. Megjithatë, përleshjet shpërthyen pranë Stacionit Qendror të Brukselit dhe në qendër të qytetit, ku grupe protestuesish hodhën shishe, tulla, gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të policisë, vunë zjarre dhe dëmtuan pronën publike.

Për t’i shpërndarë grupet e dhunshme, policia përdori topa uji dhe gaz lotsjellës. Sipas autoriteteve, 21 persona janë ndaluar ose arrestuar, përfshirë 13 të mitur.

Greva u thirr nga dy sindikatat më të mëdha të Belgjikës, sindikata socialiste FGTB/ABVV dhe ajo e krishterë CSC/ACV. Ato kundërshtojnë masat buxhetore të qeverisë, për të cilat thonë se do t’ua kalojnë barrën e përpjekjeve për uljen e deficitit punëtorëve, pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta.

Kryeministri belg, Bart De Wever, deklaroi të enjten se masat e dhimbshme buxhetore janë të nevojshme tani, për të shmangur një spirale të mundshme të borxhit dhe kostove të interesit, e cila, sipas tij, do t’u linte një barrë të rëndë brezave të ardhshëm.

Ndërkohë, grupet studentore, protestat e të cilave nisën në fillim të këtij muaji në Liège dhe u përhapën të premten në Bruksel, kundërshtojnë gjithashtu rritjen e kostove të arsimit, mbipopullimin e klasave dhe reformat që, sipas tyre, rrezikojnë ta bëjnë arsimin e lartë më pak të qasshëm.

Protestat në Belgjikë janë pjesë e një vale më të gjerë demonstratash në Evropë. Studentët në Francë dhe Itali kanë protestuar për financimin e arsimit, ndërsa dhjetëra mijëra persona kanë marshuar në Spanjë kundër krizës së banimit.

Burimi: Dukagjini