
Largimi i Lionel Messit nga kombëtarja e Argjentinës pritet të hapë një kapitull të ri për përfaqësuesen kampione të botës, ndërsa një nga dilemat kryesore mbetet se cili futbollist do ta marrë fanellën ikonike me numrin 10, të cilën legjenda argjentinase e mbajti për shumë vite.
Sipas raportimit të ESPN Argentina, stafi teknik i kombëtares, nën drejtimin e përzgjedhësit Lionel Scaloni, po shqyrton dy emra si kandidatë të mundshëm për ta bartur këtë numër historik: Nico Paz dhe Lautaro Martínez.
Nico Paz, talenti i Comos në Serie A, është njëri prej futbollistëve që po tërheq vëmendje me paraqitjet e tij. Mesfushori ofensiv shihet si një prej lojtarëve që mund të marrë përgjegjësi të rëndësishme në gjeneratën e re të Argjentinës.
Në garë është edhe Lautaro Martínez, sulmuesi dhe një prej liderëve të Interit. Përvoja, karakteri dhe roli i tij në sukseset e fundit të kombëtares e bëjnë atë një kandidat të mundshëm për ta trashëguar fanellën e Messit. Martínez aktualisht e bart numrin 10 te Interi, ndërsa në paraqitjet me Argjentinën ka përdorur numrin 22.
Megjithatë, deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim dhe përzgjedhësi Lionel Scaloni nuk ka bërë njoftim zyrtar se kush do ta marrë numrin e famshëm.
Ndërkohë, Argjentina ka vendosur që fanella me numrin 10 të mos përdoret në ndeshjet miqësore të nëntorit kundër Uruguait dhe Kosta Rikës, si shenjë respekti ndaj Messit. Sipas mediave argjentinase, ky numër pritet të rikthehet në përdorim në ndeshjet zyrtare gjatë vitit 2027.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali