
Përfaqësues të Listës Studentore të Serbisë kanë realizuar vizitë në Kosovë dhe kjo ka nxitur reagime të shumta se si u dha leje për këtë vizitë.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për Express kanë thënë se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për vizitë zyrtare nga përfaqësues dhe studentë nga Lista Studentore që po e merr pushtetin në Serbi.
“Duke qenë se përfaqësuesit në fjalë nuk mbajnë akoma funksione zyrtare në institucionet shtetërore të Serbisë, hyrja dhe qëndrimi i tyre në Republikën e Kosovës janë realizuar në cilësinë e qytetarëve të zakonshëm, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përgjithshme për hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të Serbisë në Republikën e Kosovës. Për vizita të kësaj natyre nuk kërkohet miratim paraprak nga MPJD-ja”, thuhet në përgjigje.
Gjatë vizitës në Kosovë, Fegja Dimoviq, një kandidat i Listës Studentore tha se ky vend zë vend të rëndësishëm në programin politik të këtij subjekti politik, që e konsideron atë “pjesë përbërëse të Serbisë” dhe “shtyllë të identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor”.
Vizitorët nga Beogradi ishin edhe në Manastirin e Graçanicës dhe në Manastirin e Deçanit, që janë pjesë e Kishës Ortodokse Serbe dhe menaxhohen nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit.
Burimi: Insajderi