Buxheti për mbrojtjen e Kosovës për vitin 2027 është planifikuar të arrijë në mbi 224 milionë euro, shuma më e lartë e ndarë ndonjëherë për këtë sektor, sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Maqedonci ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për vitin e ardhshëm është 224 milionë e 168 mijë e 705 euro, mjete që do të orientohen në modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.
“Buxheti për mbrojtjen e Republikës së Kosovës për vitin 2027 është planifikuar të jetë 224,168,705 euro, më i larti në historinë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë së Kosovës”, ka deklaruar Maqedonci.
Sipas tij, përmes këtij buxheti do të vazhdojnë investimet në pajisje dhe sisteme moderne ushtarake, me synim avancimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së.
Po ashtu, një pjesë e mjeteve është planifikuar të shfrytëzohet për zhvillimin e infrastrukturës mbrojtëse.
Ministri ka theksuar se investimet do të përqendrohen në modernizimin e ushtrisë, furnizimin me pajisje ushtarake dhe ngritjen e kapaciteteve të saj.
Buxheti prej 224.17 milionë eurosh është pjesë e planifikimit financiar për vitin 2027, ndërsa realizimi i tij mbetet i lidhur me miratimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit.
Projektbuxheti total për vitin 2027 është planifikuar të jetë 4.27 miliardë euro i cili nesër pritet të nis shqyrtimi i parë në Komisionin për Buxhet.