Dymbëdhjetë persona kanë humbur jetën pasi dhjetëra makina dhe kamionë u përfshinë në dy përplasje zinxhir, në Bullgarinë juglindore, njoftoi presidenti Rumen Radev, transmeton klankosova.tv.
Ministrja e Shëndetësisë, Katya Ivkova, deklaroi se 11 persona vdiqën në vendngjarje të martën, pranë qytetit Zimnitsa, ndërsa një person tjetër humbi jetën më vonë në spital. Rreth 50 persona të tjerë u dërguan në spital me lëndime.
Guvernatori i rajonit të Slivenit, Mihail Kasherov, u tha gazetarëve se në aksident u përfshinë më shumë se 70 automjete, raportoi agjencia shtetërore bullgare e lajmeve, BTA.
Autoritetet bënë të ditur se mjegulla e dendur, e cila kufizoi dukshmërinë, ka qenë me gjasë shkaku i përplasjes së parë.
Pas këtij incidenti, presidenti Radev e shpalli të mërkurën ditë zie kombëtare.
Sipas BBC, edhe përplasja e dytë në korsinë që të çon drejt Sofjes, dyshohet se shkaktua nga mjegulla, ndërsa drejtuesit e mjeteve u shpërqendruan edhe nga përplasja e parë, citoi BTA një zyrtar. /Klankosova.tv