Trump vendos sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale, pak pasi ish-gjyqtarja e saj fitoi Nobelin për Paqe

Written by

in

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të premten sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), në një përshkallëzim të mëtejshëm të përplasjeve mes administratës së Donald Trump-it dhe këtij institucioni ndërkombëtar.

Vendimi u bë publik vetëm disa orë pasi juristja nga Afrika e Jugut, Navi Pillay, ish-gjyqtare e Dhomës së Apelit të GJNP-së, fitoi Çmimin Nobel për Paqe.

Gjykata e ka dënuar vendimin e Uashingtonit, duke e cilësuar si një “sulm ndaj sundimit të ligjit dhe vetë themeleve të rendit juridik ndërkombëtar”. Ajo u ka bërë thirrje 125 shteteve anëtare që të ndërmarrin veprime për ta mbrojtur institucionin.

“Gjykata nuk mund të qëndrojë e vetme. Fati i saj tani qëndron edhe në duart e shteteve që e krijuan atë”, thuhet në një deklaratë të gjykatës. “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e një institucioni të vetëm, por me ruajtjen e rendit ndërkombëtar të mbështetur në sundimin e ligjit. Historia do ta gjykojë këtë moment”.

Administrata e Donald Trump-it ka qenë prej kohësh kritike ndaj GJNP-së, e themeluar në vitin 2002 për të ndjekur penalisht krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.

Më herët, administrata amerikane kishte vendosur sanksione ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të gjykatës. Megjithatë, masa e fundit shkon më tej, pasi mundëson ndëshkimin edhe të kompanive që ofrojnë shërbime për vetë institucionin.

“Presidenti Trump nuk do ta lejojë kurrë Gjykatën Ndërkombëtare Penale që të ndjekë penalisht amerikanët”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një deklaratë të publikuar fillimisht nga Reuters.

“Prandaj, sot Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Ne do t’i ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë jashtë kontrollit, duke ia ndërprerë burimet dhe duke ia paralizuar aftësinë për të funksionuar”.

Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi vendosjen e sanksioneve, duke paraparë fillimisht një periudhë gjashtëmujore tranzitore. Gjithashtu, janë përcaktuar disa përjashtime që lejojnë transaksione të caktuara për shërbimet e telekomunikacionit, softuerët, pagesat e pensioneve dhe transaksionet që lidhen me personat e ndaluar.

Rubio tha se sanksionet janë hartuar në mënyrë që gjykata dhe shtetet anëtare të kenë mundësi t’i adresojnë shqetësimet e SHBA-së. Ai shtoi se masat mund të përshtaten nëse kërkesat amerikane nuk përmbushen.

Gjykata ka marrë më parë mbështetje nga shtetet anëtare, ku përfshihen të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të gjithë anëtarët e NATO-s, me përjashtim të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë. Selia e saj ndodhet në Holandë, shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s, raporton Reuters.

Ndërkohë, Çmimi Nobel për Paqe, i ndarë disa orë më herët për juristen nga Afrika e Jugut, Navi Pillay, u përshkrua nga komiteti i çmimit si një gjest mbështetjeje për gjykata të tilla. Pillay ishte pjesë e Dhomës së Apelit të GJNP-së nga viti 2003 deri më 2008.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Trump vendos sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale, pak pasi ish-gjyqtarja e saj fitoi Nobelin për Paqe appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali